Ballina Politika Bllokimi i integrimit/ Gazetari i njohur: Mos u mashtroni nga prononcimet e...

Bllokimi i integrimit/ Gazetari i njohur: Mos u mashtroni nga prononcimet e disa zyrtarëve të BE, faktet flasin ndryshe

108
0

Ndërkohë që procesi i integrimit drejt Bashkimit Europian është bllokuar për shkak të mbrojtjes që po i bën Edi Rama vetes së tij dhe Belinda Ballukut, disa media të qeverisë po citojnë zyrtarë të BE që thonë se integrimi po ecën.

Ndërkohë gazetari Augustin Palokaj, që raporton prej vitesh nga Brukseli, shkruan në gazetën Koha se Shqipëria nuk duhet të mashtrohet nga këto prononcime nga rekomandimet e Komisionit Europian.

Sipas tij, faktet flasin ndryshe.

“Nëse Shqipëria do të mbetet e kënaqur me mbështetjen që gëzon nga Komisioni Evropian, me raportimet dhe rekomandimet pozitive të ekzekutivit të BE-së, nuk do të arrijë t’i realizojë qëllimet e saj për mbyllje të shpejtë të negociatave të anëtarësimit. Çelësi për këtë është te vendet anëtare dhe me to Shqipëria duhet të punojë më shumë. Pa mbështetjen e Komisionit Evropian një vend kandidat nuk mund të lëvizë. Por as mbështetja e Komisionit nuk mjafton. Ka mjaft shembuj nga të cilët Shqipëria mund të mësojë. Maqedonia e Veriut ka marrë raport pozitiv nga Komisioni Evropian para 19 vjetësh për nisjen e negociatave e akoma nuk ka nisur hapjen e kapitujve. Po të dëgjohej Komisioni Evropian, Serbia ndoshta tashmë do të ishte vend anëtar. Komisioni Evropian ka rekomanduar heqjen e vizave për Kosovën në vitin 2016, e ato u hoqën 8 vjet më vonë, në vitin 2024.

Sidomos kjo përbërje e Komisionit Evropian duket shumë e papërgjegjshme në prononcimet rreth procesit të zgjerimit dhe kjo po i irriton shumë vendet anëtare dhe Këshillin. Përmendja e afateve joreale nga ana e Komisionit Evropian për të pranuar vende të reja anëtare dhe raportet përmes të cilave relativizohen disa probleme në vendet kandidate kanë krijuar një mosbesim të madh mes Komisionit Evropian dhe vendeve anëtare.

Vendet anëtare kanë ambasadat e tyre në vendet kandidate dhe marrin informacione edhe nga ato ambasada për procesin e reformave, sundimin e ligjit, gjendjen e mediave, luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Dhe ndodh që raportet që marrin nga terreni të mos jenë gjithmonë në përputhje me atë që raporton Komisioni Evropian. E Komisioni Evropian, duke dashur të promovojë procesin e zgjerimit, nuk dëshiron të jetë tepër i ashpër në vlerësime për të mos u dhënë vendeve anëtare justifikime për ta ngadalësuar procesin edhe ashtu të ngadalshëm.

Në këto rrethana Shqipëria nuk ka çka të bëjë tjetër pos të vazhdojë, dhe ta përshpejtojë punën për t’i përmbushur kriteret për mbylljen e kapitujve. Në vlerësimin e përmbushjes së kushteve për mbylljen e kapitujve, BE-ja është shumë më e ashpër sesa për hapjen e tyre. Dhe këtë duhet ta ketë parasysh edhe Shqipëria. Nëse do të mbrohet duke thënë se “procesi vazhdon“, atëherë procesi vërtet vetëm do të vazhdojë, por me një ritëm shumë më të ngadalshëm sesa që do të duhej nëse synohet mbyllja e kapitujve në një periudhë prej një viti e gjysmë,” shprehet Palokaj.