Ballina Opinion Ai biri yt Kosovë…

Ai biri yt Kosovë…

78
0

Nga Sandër Lleshaj

Nata e parë në Kosovë, gjatë këtij prilli të bukur, kaloi nën harenë drithëruese të miqve tanë që pagëzonin një fëmijë me nënë gjermane dhe baba shqiptar. Një mbrëmje e paharrueshme shqiptare dhe gjermane, jehona e të cilës mbetet gjatë në vetëdije në trajtën e tingujve të lashtë plot hijeshi, ritëm dhe vrull.

E nesermja nëpër Prishtinë është plot kontraste, ku etja private, krejt si në Shqipërinë nënë, duket se po përpin tokën dhe qiellin, duke e rrudhur hapësirën publike në mënyrë paskajore.

Hyrja në godinën emblematike të Bibliotekës Kombëtare „Pjetër Bogdani“ na e nxjerr krejt „dehjen“ e bukur plot Kosovë dhe Shqipëri të mbrëmjes dhe na „përplas“ në realitetin e ashpër. Godina i ngjan një margaritari arkitekturor të zhytur në pluhurin e harresës dhe të braktisjes. Sallat janë të gjitha të zbrazta. Aty mungojnë lexuesit, ndonëse jo drita që drita rrjedh plot bukuri nga kupolat e bardha. Skedarët janë ata që kanë tepruar nga shekulli i kaluar, me po atë përmbajtje librash, ku autorët jugosllavë janë me tepri. Duket se vitet e këtij shekulli kanë shtuar vetëm pluhur. As libra dhe as lexues të ri.

E si për ironi të shekujve, në hollin kryesor të bibliotekës të befason një ekspozitë osmane. Disa stenda me faksimile dekretesh sulltanore për hapje shkollash turke dhe çuditërisht edhe shumë greke, por sigurisht asnjë shqipe, në Kosovën e fundit të Shekullit të 19-të dhe fillimit të Shekullit të 20-të, duket se janë e vetmja gjë e „re“ në bibliotekën dikur emblematike të korifejve të Kosovës.

Germat e rënda të emrit të Pjetër Bogdanit në hyrje të saj nuk munden ta mbulojnë as trishtimin, as dhimbjen dhe as revoltën që të zgjon një zonjë e rëndë e rrëzuar përdhe.

Megjithatë….
Një takim mbresëlënës me Presidentin, Prof. Dr. Fatmir Sejdiu, në Parkun e Gërmisë, na rikujton se Kosova kurrë nuk bie ngusht për burra e gra me dinjitet, forcë dhe talent, që kanë ditur dhe dijnë që t’i dalin zot asaj.