Ndërsa Edi Rama ndodhet në Athinë, Parlamenti grek jep një leksion të pastër mbi standardin që duhet të ketë pushteti përballë drejtësisë.
Me një shumicë dërrmuese votash, Parlamenti iu hoqi imunitetin 13 deputetëve të partisë “Demokracia e Re” të kryeministrit Kyriakos Mitsotakis, për dyshimet mbi abuzimin me fondet e BE-së për bujqësinë, duke i hapur rrugë hetimit. Një konsensus pothuaj unanim, ku në një akt të padëgjuar, edhe vetë deputetët e dyshuar votuan për heqjen e imunitetit të tyre.
Kjo shkon përtej një procedure parlamentare. Është kulturë politike. Është një vijë e kuqe që politika greke me sa duket ia ka vendosur vetes: nuk ka imunitet përballë dyshimit.
Në Shqipëri, ndërkohë, tabloja është krejt tjetër.
Jo thjesht një deputete, por ish numri 2 i qeverisë, Belinda Balluku, është e pandehur nga SPAK për paracaktim tenderash dhe përfitime të miliona eurove. Çështje që kërkojnë hetim të plotë, transparencë dhe distancim politik.
Por përkundrazi, në Shqipërinë tonë që aspiron të hyjë në BE, shumica socialiste është mbyllur rreth vetes për të ruajtur pushtetin, duke relativizuar akuzat, duke politizuar hetimin dhe duke mbrojtur imunitetin e deputetes së akuzuar.
Dhe këtu është pika ku ndahet modeli.
Ajo që ndodhi në Greqi nuk është luks i një demokracie të vjetër, por disiplinë e një sistemi që edhe nga përvoja e ka kuptuar se standardi dhe besimi publik ruhen duke ekspozuar të vërtetën.
Dhe ky është leksioni që Edi Rama e merr sot nga afër, në Athinë: Nuk mjafton të flasësh për standarde europiane, duhet t’i zbatosh ato, sidomos kur të prekin brenda shtëpisë.
Standardi nuk dëshmohet me deklarata, por me zgjedhjen që bën pushteti përballë drejtësisë!/bw







