Një koleksion librash të rrallë të vjedhur, me vlerë miliona dollarë, po u kthehet trashëgimtarëve të pronarëve pas dekadash nga vjedhja. Mes tyre ka letra të John Keats dhe vepra të Oskar Uajldit dhe Xhejms Xhoisit, të cilat ishin marrë nga një shtëpi në New York.
Prokurori i Manhatanit, Alvin Bragg, dorëzoi 17 veprat, përfshirë një përmbledhje të lidhur të letrave të dashurisë së Kitsit për të fejuarën e tij Feni Bron, familjes së Xhon Hei Uitnit dhe Betsi Uitnit në një aktivitet të hënën.
Librat ishin vjedhur nga një shtëpi në Long Island në vitet 1980 dhe u gjetën vitin e kaluar, kur një person i paidentifikuar tentoi t’i shiste tek tregtarë librash të rrallë në Nju Jork, të cilët njoftuan autoritetet.
“Manhatani është kryeqyteti kulturor i botës,” tha Bragg. “Nuk do të lejojmë që zona jonë të bëhet një qendër për trafikun e artit dhe objekteve antike.”
Trashëgimtarët planifikojnë t’i nxjerrin librat në ankand, me një vlerë totale rreth 3 milionë dollarë, dhe të dhurojnë të ardhurat.
“Kjo ishte një surprizë për familjen tonë,” tha Piter di Bonaventura, nipi i Xhon HeiUitni dhe Betsi Uitni. “Është diçka e mrekullueshme… gjyshërit e mi ishin koleksionistë të jashtëzakonshëm.”
Methju Bogdanos, drejtues i njësisë kundër trafikut të antikiteteve në zyrën e prokurorit të Manhatanit, tha: “Në qytete të tjera dhe në kohë të tjera, ky rast do të ishte bërë thjesht një çështje e mbyllur dhe e harruar.”
Xhon Hay Uitni, veteran i Luftës së Dytë Botërore, ishte botues i New York Herald Tribune, president i Muzeut të Artit Modern dhe ambasador në Mbretërinë e Bashkuar. Ai vdiq në vitin 1982. Të paktën 28 libra u vodhën mes viteve 1982 dhe 1989.
Prokuroria tha se një person vitin e kaluar tentoi të shiste 17 nga librat tek dy librari të specializuara në Manhattan, duke pretenduar se i kishte trashëguar nga gjyshi.
Tregtarët vunë re se librat figuronin në një regjistër të veprave të humbura dhe njoftuan autoritetet. Hetimet vazhdojnë për 11 vëllimet e tjera që mungojnë.
Bogdanos tha se nuk është e qartë saktësisht kur u vodhën librat, por ata ishin regjistruar në një inventar në vitin 1982 dhe mungonin në një tjetër në vitin 1989.
“Në atë kohë, prona ishte e hapur për publikun dhe kishte ndërtime të vazhdueshme gjatë viteve ’80,” shtoi ai.
Ai tha gjithashtu se personi nga i cili u sekuestruan librat “madje nuk kishte lindur kur ndodhi vjedhja, kështu që nuk ishte ai autori”. Gjyshi, nga i cili ai pretendonte se i kishte trashëguar, kishte vdekur në vitin 2009.
Koleksioni përfshin 37 letra dashurie të Kitsit, të shkruara mes viteve 1819 dhe 1820, me një vlerë rreth 2 milionë dollarë.
Po ashtu ka një kopje të firmosur të “Përshpirtja e Fineganit” të Xhejms Xhoisit dhe një botim të parë amerikan të “De Profundis”, një letër prej 50 mijë fjalësh që Oskar Uajldi ia shkroi të dashurit të tij, Lord Alfred Dagllasit, gjatë kohës që ishte në burg për “akte të rënda imorale”, së bashku me katër letra të tjera.
Bogdanos shpjegoi se “De Profundis” u shkrua si letër sepse në atë kohë të burgosurve nuk u lejohej të shkruanin romane apo ese.







