Ballina Politika Koncesionet e shëndetësisë nën lupën e SPAK, ministrja Sala i shpall “histori...

Koncesionet e shëndetësisë nën lupën e SPAK, ministrja Sala i shpall “histori suksesi” në Kuvend

133
0

Ministrja e Shëndetësisë, Evis Sala, zgjodhi të ndërpresë agjendën e saj të udhëtimeve jashtë vendit për t’u paraqitur këtë të enjte në Kuvend, ku mori në mbrojtje koncesionin e laboratorëve, një kontratë që aktualisht ndodhet nën hetim nga SPAK.

Gjatë interpelancës së kërkuar nga tre deputetë të opozitës, ministrja u përball me pyetjen thelbësore: pse qeveria vijon të financojë koncesione që jo vetëm janë konstatuar me shkelje nga Kontrolli i Lartë i Shtetit, por janë edhe objekt hetimi penal.

Në përgjigjen e saj, Sala nuk kurseu vlerësimet për performancën e koncesionit të laboratorëve, i cili administrohet nga biznesmeni Klodian Allajbeu, duke anashkaluar në mënyrë të dukshme gjetjet e auditit shtetëror. Sipas saj, ky koncesion ka përmirësuar ndjeshëm cilësinë dhe gamën e analizave të disponueshme për qytetarët, si dhe ka rritur standardizimin e shërbimit në 18 spitale publike në rang kombëtar.

Një panoramë që, të paktën në letër, rezulton e rregullt. Në praktikë, situata paraqitet më komplekse. Prej vitesh, në dhjetëditëshin e fundit të çdo muaji, shërbimi i analizave kufizohet ndjeshëm pasi arrihet tavani buxhetor mujor për koncesionarin. Në këto kushte, analizat kryhen kryesisht për rastet urgjente, ndërsa pacientët e tjerë orientohen drejt laboratorëve privatë, me kosto shtesë.

Për këtë problem, ministrja u mjaftua me sqarimin se kontrata parashikon vijimin e shërbimit për rastet urgjente pa pagesë sapo arrihet kufiri 100% i buxhetit, një zgjidhje që lë jashtë pjesën tjetër të pacientëve.

Ndërkohë, raportet e KLSH-së kanë evidentuar një sërë parregullsish që në vitin e parë të zbatimit të kontratës. Sipas auditit, janë konstatuar “shkelje të mëdha” në procedurën e dhënies së koncesionit, në kundërshtim me ligjin “Për Koncesionet dhe Partneritetin Publik Privat”.

Auditimi tregon se në 11 nga 19 spitalet e përfshira, shërbimi laboratorik ka arritur nivele realizimi 97–100% të planit, duke u përballur njëkohësisht me kufizime për shkak të tavaneve buxhetore. Këto kufizime, sipas KLSH, rrezikojnë të kthehen në pengesë për ofrimin në kohë të analizave, duke orientuar pacientët drejt sektorit privat dhe, në disa raste, duke ndikuar negativisht në gjendjen e tyre shëndetësore.

KLSH thekson gjithashtu se vendosja e tavaneve buxhetore vjetore nuk ka arritur të disiplinjë shpenzimet në mënyrën e parashikuar, ndërkohë që ndikon drejtpërdrejt në përmbushjen e nevojave të pacientëve.

Paralelisht, hetimi i SPAK nuk është kufizuar vetëm te kompania koncesionare, por është zgjeruar drejt një rrjeti subjektesh që dyshohet se lidhen me “Spitalin Amerikan” dhe vetë Klodian Allajbeun.

Në një situatë të tillë, pritshmëria minimale do të ishte një rishikim i kontratës ose masa konkrete nga ana e qeverisë. Megjithatë, nga foltorja e Kuvendit, ministrja zgjodhi një tjetër qasje, të vijojë mbrojtjen dhe lavdërimin e koncesionit sikur raportet dhe hetimet të ishin thjesht letra bakalli./vna