Ballina Europë Kriza politike/ 7 ministra japin dorëheqjen, ja arsyeja

Kriza politike/ 7 ministra japin dorëheqjen, ja arsyeja

91
0

Një krizë e re politike ka shpërthyer në Rumani, pasi shtatë ministra nga Partia Socialdemokrate (PSD) dhanë dorëheqje nga qeveria e koalicionit pro-evropian të kryeministrit Ilie Bolojan, duke i hequr ekzekutivit shumicën parlamentare dhe duke vënë në rrezik stabilitetin politik të vendit.

Sipas raportimeve të agjencisë Reuters, tërheqja e ministrave vjen mes përplasjeve të forta brenda koalicionit për masat e shkurtimeve buxhetore dhe reformave fiskale të ndërmarra nga qeveria.

Socialdemokratët (PSD), të cilët deri tani kishin mbështetur politikat e kabinetit, kanë kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Bolojan, i cili vjen nga Partia Nacional-Liberale (PNL), duke e akuzuar për politikat e reduktimit të shpenzimeve publike dhe përpjekjet për uljen e deficitit buxhetor.

Kryeministri Bolojan ka refuzuar të japë dorëheqjen dhe ka deklaruar se do të vazhdojë punën duke emëruar ministra të përkohshëm nga anëtarët e mbetur të kabinetit. Sipas ligjit, këta ministra mund të qëndrojnë në detyrë deri në 45 ditë, pas së cilës kërkohet formimi i një qeverie të re të miratuar nga parlamenti.

Në zhvillimet politike, PSD ka paralajmëruar paraqitjen e një mocioni mosbesimi ndaj qeverisë, i cili mund të çojë në rrëzimin e saj nëse merr mbështetjen e opozitës së djathtë ekstreme, Aleanca për Bashkimin e Rumunëve, e cila është forca e dytë më e madhe në parlament.

Në një deklaratë zyrtare, PSD ka shprehur gatishmërinë për të formuar një qeveri të re pro-evropiane, duke theksuar se është e hapur për bashkëpunim me çdo kryeministër, qoftë politikan apo teknokrat, që mund të sigurojë shumicën parlamentare dhe të adresojë shqetësimet e qytetarëve.

Nga ana tjetër, PNL e kryeministrit Bolojan ka përjashtuar mundësinë e një koalicioni të ri me të majtën, duke e bërë edhe më të vështirë gjetjen e një formule të re qeverisëse.

Koalicioni aktual ishte formuar rreth dhjetë muaj më parë me qëllim frenimin e rritjes së partive të ekstremit të djathtë, por është përballur vazhdimisht me tensione të brendshme, veçanërisht për çështjet e reformave fiskale dhe shkurtimit të shpenzimeve publike.

Kriza e re pritet të sjellë zhvillime të shpejta në skenën politike rumune, ndërsa vendi përballet me pasiguri mbi vazhdimësinë e qeverisjes dhe marrëdhëniet me Bashkimin Evropian.