Ballina Rajoni Qindra metra katrorë dhe punime pa leje: Çfarë po ndërtohet në pronën...

Qindra metra katrorë dhe punime pa leje: Çfarë po ndërtohet në pronën e Radoiçiqit në Beograd?

115
0

Në një parcelë në Beograd, e cila lidhet me organizatorin e sulmit të armatosur në Banjskë, Millan Radoiçiq, janë ndërtuar qindra metra katrorë. Por, punimet nuk janë raportuar, tregon një hulumtim i Shërbimit të Ballkanit të Radios Evropa e Lirë.

Një shtëpi luksoze dykatëshe, me pishinë dhe oborr të rregulluar, ka “mbirë” në një truall prej 40 ari në një lagje elitare të Beogradit.

E rrethuar me mure të larta, shtëpia ndodhet pranë ambasadave dhe vilave që janë nën mbrojtjen shtetërore.

Megjithatë, në regjistrin e ndërtimeve në Serbi nuk gjenden të gjitha lejet e nevojshme për ndërtimin e kësaj shtëpie.

Inspektoratet qytetare dhe republikane nuk i janë përgjigjur pyetjes së Radios Evropa e Lirë nëse i kanë kontrolluar këto punime.

Parcela në lagjen Dedinje, më herët, ka qenë e regjistruar si “pasuri e përbashkët bashkëshortore” e Millan dhe Ema Radoiçiqit. Megjithatë, pronare aktuale është vetëm ajo.

Në dëshminë para autoriteteve të Kosovës, të cilat e kërkojnë Millan Radoiçiqin për organizimin e sulmit të armatosur në fshatin Banjskë, Ema Radoiçiq ka deklaruar se është divorcuar prej tij.

Ata kanë dy fëmijë së bashku.

Kush janë fqinjët e parë të Ema Radoiçiqit?

Ema Radoiçiq nuk u është përgjigjur pyetjeve të Radios Evropa e Lirë përmes email-it, lidhur me financimin dhe ndërtimin e vilës, si dhe marrëdhëniet e saj me Millan Radoiçiqin.

Siç mund të shihet në kadastër, fqinje e saj e parë në Dedinje është Lilana Bozhoviq, bashkëshortja e Zvonko Vesellinoviqit – ish-partner biznesi i Radoiçiqit, gjithashtu me origjinë nga veriu i Kosovës.

Si Radoiçiq, ashtu edhe Vesellinoviq janë nën sanksione nga Shtetet e Bashkuara dhe Mbretëria e Bashkuar, për shkak të akuzave për krim të organizuar dhe korrupsion.

Autoritetet e Kosovës i ngarkojnë ata me vepra të rënda penale, përfshirë vrasjen e politikanit nga veriu i Kosovës, Oliver Ivanoviq.

Megjithatë, Serbia nuk u kushton vëmendje këtyre akuzave, e as sanksioneve ndërkombëtare.

Ngjashëm, ajo injoron edhe aktakuzën ndaj Radoiçiqit në Kosovë për sulmin në Banjskë.

Për çfarë akuzohet Radoiçiq?

Radoiçiq ka pranuar se ka organizuar sulmin në fshatin Banjskë, më 24 shtator 2023.

Në atë sulm është vrarë një polic i Kosovës dhe tre të tjerë janë plagosur.

Më pas, në shkëmbimin e zjarrit që ka pasuar, janë vrarë edhe tre sulmues të nacionalitetit serb.

Autoritetet në Kosovë kanë ngritur aktakuzë kundër Radoiçiqit dhe 44 personave të tjerë.

Ai akuzohet për terrorizëm dhe për vepra të rënda kundër rendit kushtetues të Kosovës. Konkretisht, akuzohet se ka qenë në krye të një “grupi terrorist” që ka tentuar, me dhunë dhe armë të rënda, ta ankesonte veriun e Kosovës, të banuar me shumicë serbe, dhe ta bashkonte me Serbinë.

Në Serbi ende nuk është ngritur ndonjë aktakuzë, edhe pse që në vitin 2023 – në ditët e para pas sulmit në Banjskë – ka nisur një hetim.

Serbia, e cila nuk e njeh shtetin e Kosovës dhe institucionet e saj, e ngarkon Radoiçiqin me veprën e mbajtjes dhe trafikimit të paligjshëm të armëve, si dhe me vepra të rënda kundër sigurisë së përgjithshme.

Çfarë përfshihet në 2.300 metra katrorë?

Radio Evropa e Lirë në Beograd ka analizuar Regjistrin Qendror të Procedurave të Bashkuara për dhënien e lejeve ndërtimore (CEOP).

Në këtë bazë gjenden të gjitha dokumentet publike që i lëshojnë organet shtetërore të Serbisë, gjatë ndërtimit, në mënyrë që objektet të jenë ligjore.

Sipas kësaj baze, punimet në parcelën e Ema Radoiçiqit zyrtarisht nuk kanë filluar ende.

Por, gjendja në terren është ndryshe.

Nga pamjet që ka siguruar Radio Evropa e Lirë, shihet një vilë dykatëshe e ndërtuar, një pishinë dhe një oborr i rregulluar me gjelbërim.

Megjithatë, dokumentet tregojnë se Sekretariati për Urbanizëm i Qytetit të Beogradit, më 16 mars, i ka ofruar kushtet e lokacionit për ndërtim në parcelën në Dedinje.

Ky është vetëm hapi i parë në procedurë.

Këto kushte përcaktojnë se çfarë dhe si lejohet të ndërtohet.

Hapi i radhës është marrja e lejes ndërtimore.

Sipas të dhënave nga kushtet e miratuara të lokacionit, vila duhet të ketë rreth 2.300 metra katrorë – me pjesë nëntokësore, përdhesë dhe dy kate.

Pjesa mbi tokë e vilës, sipas këtyre të dhënave, është rreth 1.500 metra katrorë.

Në dokument nuk është e qartë se çfarë është planifikuar të ndërtohet në qindra metra katrorë të pjesës nëntokësore, përveç shtatë vendeve për parkim.

Po ashtu, në regjistrin qendror ende nuk ekziston leje ndërtimore e vlefshme për këtë objekt.