Një nga ankandet më të mëdha kushtuar Michael Jacksonit të organizuar ndonjëherë në Evropë, do të mbahet më 3 qershor në shtëpinë e ankandeve Aguttes, të vendosur në Neuilly-sur-Seine, pranë Parisit, kur do të ofrohen deri në 50 artikuj nga koleksioni i këtij mbreti të paharrueshëm të muzikës pop.
Ndër sendet më të vlefshme janë doreza prej kristali Swarovski që Jackson mbante veshur në turneun “Bad” ndërsa performonte këngën “Billie Jean”, kapelja dhe xhaketa e tij me xixa nga turneu “Victory”, si dhe një jastëk i zbukuruar me kristale.
Ky ankand paraqet shumë sende nga karriera e pasur e Jacksonit, duke përfshirë veshje, kostume skenike, aksesorë mode, autografe dhe tre vizatime të pikturuara nga vetë këngëtari i muzikës pop. Të gjitha sendet vijnë nga koleksioni i koleksionistit norvegjez Richard Fossaas, i cili i mblodhi sendet e tij për dekada të tëra. Ato tani janë pjesë e një koleksioni të madh privat në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.







