Këngëtarja Filloreta Raçi – Fifi ka bërë së fundmi një deklaratë që ka ngjallur reagime në rrjet, gjatë një bisede në podcastin “Mam” të moderatores Orinda Huta, ku foli hapur për përjetimin e saj të mëmësisë.
Teksa rrëfente emocionet dhe pritshmëritë gjatë shtatzënisë, interpretuesja e hitit “Marova” tregoi se ka pasur një moment të vështirë kur mësoi gjininë e fëmijës, pasi kishte dëshiruar shumë të bëhej me vajzë.
“Kam qenë duke fluturuar prej Boston në New York dhe më erdhi njoftimi, ma dërgoi gjinekologia dhe unë i thashë ‘të lutem mos më trego që është çun’ dhe ajo më tha ‘Zemra është çun’. Kam qarë 40 minuta në aeroport, e doja gocë. E doja gocë sepse unë i dua shumë gocat, e doja gocë sepse Adisi e ka një djalë, e doja sepse doja që ai ta përjetonte për herë të parë me mua gocën”, kujtoi Fifi.
Këngëtarja e pranoi se reagimi i saj ishte i sinqertë dhe i menjëhershëm, duke treguar se e kishte imagjinuar ndryshe ardhjen e fëmijës, por më pas gjithçka ndryshoi me lindjen dhe me përjetimin real të mëmësisë.
Fifi është nënë e një djali, Theo Mal, nga lidhja e saj me sipërmarrësin Adis Patushi. Ky i fundit ka edhe një fëmijë më të madh, Troin, nga lidhja e mëparshme me modelen Adrola Dushi.







