Ballina Kronika “Ke marrë gjobë!”/ Skemë mashtrimi online në emër të policisë, si funksionon...

“Ke marrë gjobë!”/ Skemë mashtrimi online në emër të policisë, si funksionon dhe si të mbroheni

76
0

Policia e Shtetit njofton për një skemë mashtrimi online që përdor emrin dhe identitetin vizual të institucionit për të përfituar para në mënyrë të paligjshme.

Autorë të paidentifikuar kanë krijuar faqe interneti të rreme që imitojnë faqen zyrtare të Policisë së Shtetit.

Ata i shpërndajnë këto faqe përmes mesazheve SMS dhe adresave email të maskuara, duke i paraqitur si njoftime zyrtare për pagesa gjobash të trafikut rrugor, kryesisht për tejkalim shpejtësie.

Policia deklaron se këto mesazhe nuk janë dërguar nga institucionet shtetërore. Autorët përdorin teknika mashtrimi për të orientuar qytetarët drejt faqeve të rreme, ku u kërkojnë të fusin të dhëna bankare. Pas marrjes së këtyre të dhënave, ata synojnë të tërheqin fonde nga llogaritë e viktimave.

Institucioni u kërkon qytetarëve të shmangin çdo klikim në linke të dyshimta të ardhura përmes SMS ose platformave të tjera dhe të mos vendosin të dhëna bankare në faqe të paverifikuara. Verifikimi i gjobave duhet të bëhet vetëm përmes kanaleve zyrtare, konkretisht në portalin e-Albania.

Policia jep edhe udhëzime për rastet kur qytetarët kanë rënë pre e mashtrimit. Ata duhet të kontaktojnë menjëherë bankën për të bllokuar kartën ose llogarinë dhe të denoncojnë rastin pranë strukturave ligjzbatuese.

Policia e Shtetit njofton se ka nisur punën për identifikimin dhe ndjekjen penale të autorëve të kësaj skeme.