Kreu i lëvizjes “Shqipëria Bëhet”, Adriatik Lapaj, ka kërkuar nisjen e procedurave për organizimin e një referendumi kombëtar me qëllim shfuqizimin e dy ligjeve që, sipas tij, prekin çështjet e pronës dhe interesin publik: Ligjin për Investimet Strategjike dhe Paketën e Maleve.
Gjatë mbledhjes së Këshillit Kombëtar të partisë, Lapaj u ka bërë thirrje strukturave dhe mbështetësve për angazhim në këtë nismë, duke e cilësuar atë si një “besëlidhje të fuqishme” për veprim qytetar dhe institucional.
Ai theksoi se, në bazë të Kushtetutës, duhet të nisin procedurat pranë KQZ për marrjen e formularëve përkatës, me synimin e mbledhjes së 50 mijë firmave për secilin prej dy ligjeve.
Sipas Lapajt, nisma synon t’i japë qytetarëve mundësinë të shprehen drejtpërdrejt për çështje që ai i konsideron me ndikim të madh në pronën dhe interesin publik.
“Unë sot me përgjegjësinë kombëtarë të angazhimit tonë kërkoj nga ju një besëlidhje të fuqishme për tu angazhuar në shfuqizimin e këtyre dy ligjeve. Shumë flasin nëpër televizione, shumë flasin edhe nëpër protesta kur ndodh që prona u vidhet njerëzve, fjalët i merr era dhe duhen vepra. Referuar kushtetutës sonë, nenit 150 pika 1 i propozoj këtij këshilli të nisim procedurat ligjore për të kërkuar nga KQZ formularët tip për mbledhjen e 50 mijë firmave për secilin prej të dy ligjeve, për ta çuar vendin në referendum kombëtar për shfuqizimin e ligjit për investimet strategjike dhe për ligjin për paketën e maleve. Kjo është detyrë kombëtare. Ju ftoj të nisim punën për të thirrur popullin në demokraci të drejtpërdrejtë, është koha të shfuqizojmë babëzinë e pushtetit të Edi Ramës, është koha të ndalim vjedhjen me ligj të Atdheut”, tha ai.







