I ftuar në një studio televizive Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi u shpreh se akuzat ndaj kreut të Partisë së Lirisë, Ilir Meta, janë pjesë e një skenari të mirëfilltë politik, që ai e cilësoi si një “rrëmbim mafioz dhe gjeopolitik”, i orkestruar nga kryeministri Edi Rama dhe të mbështetur nga George Soros.
Blushi shprehet se, ndaj Metës nuk ekziston “asnjë provë, asnjë fakt penal, asnjë lidhje me aferën CEZ-DIA dhe asnjë pasuri e paligjshme e sekuestruar”, duke theksuar se i gjithë procesi është ndërtuar mbi kallëzime të pabazuara.
Ai vuri në dukje se i ashtuquajturi kallëzues, Romeo Kara, sipas tij rezulton një person me probleme me drejtësinë, duke e cilësuar si “kallëzues të rremë”, “gënjeshtar” dhe “gjobëvënës”, ndërsa shtoi se pretendimet e tij përfshijnë edhe histori “absurde”, si ajo e daljes të të burgosurve nga burgu për të kryer vrasje me porosi, ku përmendet edhe emri i Dritan Dajtit.
Në përfundim, Sekretari i Përgjithshëm theksoi se Partia e Lirisë do të vijojë të denoncojë publikisht këtë proces, të cilin e konsideron një sulm të koordinuar politik dhe propagandistik ndaj Ilir Metës, me qëllim goditjen e tij si kundërshtar politik dhe dëmtimin e rolit të tij në jetën publike.
Në vijim të sqarimit publik të faktit të vetëm që ndaj presidentit të Partisë së Lirisë, zotit Ilir Meta, ka zero prova, zero fakte penale, zero akte penale, zero lidhje me aferën CEZ-DIA dhe, për ta vijuar më tej, zero qindarkë të paligjshme të sekuestruar, 0 m² nuk po them pasuri të paligjshme të sekuestruar, por 0 m² të sekuestruara zero mesazh telefonik që të faktojë një pretendim për ndonjë vepër penale, zero lidhje të tij me asnjë lloj afere korruptive; pra, në vijim të këtij qëndrimi publik, ne kemi publikuar pikërisht fakte dhe prova ligjore që faktojnë se i gjithë ky proces është kriminal, politik dhe i nxitur politikisht, sikundër ju e mbani mend nga tribuna e Asamblesë së Partisë Socialiste, nga Edi Rama.
Nuk ka asnjë lidhje me zotin Meta, por sigurisht dua të rikujtoj rrëmbimin e tij, jo vetëm mafioz, por edhe një rrëmbim gjeopolitik, sepse ky rrëmbim ka ardhur thjesht dhe vetëm për një “gabim” dhe këtë e them në mënyrë ironike të zotit Meta: qëndrimet e tij shumë të drejta, parimore dhe patriotike për mbrojtjen e kufijve të Kosovës dhe për mbrojtjen e sovranitetit të Republikës së Shqipërisë.
Një rrëmbim mafioz, sigurisht, por gjithashtu edhe një rrëmbim gjeopolitik, sepse të mos harrojmë se nuk është vetëm faktori i brendshëm ai që e ka dashur dhe e ka urdhëruar këtë rrëmbim, por është edhe mafia ndërkombëtare, George Soros, i cili pa dashur të zgjatem shumë është i lidhur me fondacionin që hartoi studimin e fizibilitetit për ndarjen e Kosovës.
Të mos harrojmë që të gjitha këto të ashtuquajtura kallëzime në fakt nuk ka asnjë kallëzim, sepse për të pasur një kallëzim duhet të kesh prova nuk kanë asnjë provë dhe asnjë fakt. Ato kanë filluar pikërisht paralelisht me projektin për ndarjen e kufijve të Kosovës dhe vijuan më pas në mënyrë konstante gjatë gjithë presidencës së zotit Meta, ndërkohë që sulmet kanë nisur edhe më herët.
I mbani mend titujt bombastikë të mediave që paguheshin dhe që paguhen me paratë e inceneratorëve, lobimet miliona dollarëshe, apo jo, të cilat më pas përfundonin edhe në mediat austriake sigurisht, edhe ato të paguara me paratë e inceneratorëve.
Besoj e mbani mend edhe rastin më të fundit, që është pjesë e të njëjtit skenar mafioz: çështjen e të ashtuquajturës dosje të Sigurimit të Shtetit. Pra, marrëzira thjesht dhe vetëm për të mbështetur një propagandë të fëlliqur, ordinere të Edi Ramës, të targetuar në mënyrë specifike ndaj një individi, në këtë rast ndaj zotit Meta, pikërisht për shkak jo vetëm të fuqisë së tij elektorale, por edhe të autoritetit të tij politik.
Në gjithë këtë kuadër, kemi të bëjmë me një kallëzues të rremë. Ju kemi faktuar të gjithëve unë i kam me vete dhe do t’i risjell edhe një herë në vëmendjen tuaj për t’ua treguar të gjithë shqiptarëve se me çfarë personazhi kemi të bëjmë.
Pra, është një kallëzues i rremë, një kallëzues me probleme me drejtësinë, i cili, nga vetë fashikujt hetimorë të kësaj çështjeje, del qartë si gjobëdhënës dhe si gënjeshtar. Janë më se të qarta deklaratat e tij të rreme, por jo vetëm kaq: ai rezulton edhe si nxitës i deklaratave të rreme, pa folur pastaj për dyshimet serioze sa i përket shëndetit të tij mendor.
Në qoftë se doni, mund të ndalemi shkurtimisht te të gjitha këto çështje, dhe është mirë të ndalemi për ta rikujtuar edhe një herë se me çfarë kallëzuesi kemi të bëjmë.
Ky është një vendim i Gjykatës së Rrethit Tiranë, me të pandehur Romeo Kara, i akuzuar nga motra e tij. Këtu është edhe dëshmia e saj. Këtu është edhe akti i ekspertimit të dhunës që ai ka ushtruar, bashkë edhe ndaj babait të tij, për fat të keq. Pra, imagjinoni se me çfarë personazhi kemi të bëjmë: një person që rreh motrën dhe babain e tij.
Jo, nuk janë personale. Nuk kemi asnjë lloj… më falni, nuk është çështje personale.
Po, sigurisht, më ka bërë padi për fyerje, më saktë, por në fakt fyerja më e madhe është të rrahësh motrën. Fyerja më e madhe për një shqiptar është të rrahësh babain dhe madje të përdorësh edhe mjete prerëse për ushtrimin e dhunës. Fyerja është të vësh gjoba biznesit. Fyerja është të jesh gënjeshtar. Fyerja është të bësh deklarim të rremë. Fyerja është të jesh patronazhist.
Madje, një nga elementët e të ashtuquajturit kallëzim të tij ndaj meje është pse e kam quajtur patronazhist. Në fakt, nuk duhet të më kallëzojë mua, por Edi Ramën, sepse patronazhimi nuk e ka shpikur Tedi Blushi. Është një nga “kryeveprat”, në thonjëza, kriminale të Edi Ramës.
Pra, një individ i cili, me vendim të Prokurorisë së Krimeve të Rënda dhe unë e kam sjellë edhe këtë vendim këtu pasi ka bërë këtë kallëzim të rremë, i është drejtuar Prokurorisë për të marrë statusin e dëshmitarit të mbrojtur.
Ky është vendimi. Ne flasim vetëm mbi fakte dhe prova.
Ky kallëzues i rremë i është drejtuar Prokurorisë së Krimeve të Rënda për të marrë statusin e dëshmitarit të mbrojtur, me argumentin nëse keni kohë t’ua lexoj shkurtimisht se, sipas tij, në një tavolinë “me qejf, afete dhe raki”, ka mësuar se ish-drejtori i burgut 302 në Tiranë kishte pranuar se disa të burgosur dalin natën nga burgu, kryejnë vrasje me porosi dhe kthehen përsëri në burg.
Ndër ta, sipas tij, është edhe Dritan Dajti, i cili paskësh dalë disa herë nga burgu natën për të realizuar vrasje dhe më pas është paguar nga Kastriot Ismailaj.
Pra, ky është një nga argumentet.
Gjykata është shprehur mbi këtë kërkesë. Një person që pretendon se një individ del natën nga burgu, tenton të vrasë dikë, nuk ia del dhe kthehet sërish në burg dhe jo vetëm kaq por ka edhe pretendime të tjera, si ai që Partia Demokratike mblidhet natën për të komplotuar kundër tij.







