Ballina Ekonomia BSH ndërmerr reformë ligjore për të përafruar tregun financiar me BE

BSH ndërmerr reformë ligjore për të përafruar tregun financiar me BE

81
0

Në kuadër të procesit për integrimin evropian, Shqipëria është duke përafruar legjislacionin e brendshëm me acquis communitaire. Në këtë frymë, së shpejti pritet të miratohen ndryshimet e reja ligjore që prekin tregjet financiare, sistemet e pagesave dhe institucionet financiare dhe bankat.

Banka e Shqipërisë ka gati propozimin për paketën me ndryshimet që prekin Kodin Civil (për të cilin kërkohet shumicë e cilësuar), si dhe disa ligje bazë si “Për sistemin e pagesave”, “Për shërbimin e pagesave” dhe ligjin “Për bankat”, të cilët referojnë në Kodin Civil.

Objektivi që kërkohet të arrihet lidhet me plotësimin e ndryshimeve ligjore të parashikuara në “Closing Benchmark 2” të Kapitullit 4 “Lëvizja e lirë e kapitalit”.

DG FISMA në vlerësimin e legjislacionit shqiptar si kusht për anëtarësimin në SEPA, kishte vlerësuar se ka një mospërputhje me legjislacionin e BE-së, sa i përket kalimit të veprimeve në llogari nga një klient në një tjetër, ku sipas Kodit Civil kundërshtimi duhet të bëhet brenda 6 muajve nga data e kalimit të llogarisë, lidhur me likuidimin e mbylljen, e cila duhet të dërgohet rekomande. Rivendosje në afat nuk lejohet. Direktiva e BE-së parashikon një afat 13-mujor për kundërshtimin e veprimeve.

Ndryshimi i propozuar prek si afatin ashtu edhe mënyrën e njoftimin, ku krahas rekomandesë, do të aplikohen edhe forma të tjera njoftimi, pasi shtohet togfjalëshi “përveç rastit kur parashikohet ndryshe me ligj të veçantë.” Ky parashikim lidhet më tej me dispozitat që do të rregullojnë paranë elektronike.

Ndërkohë në ligjin “Për sistemin e pagesave” zgjerohet lista e institucioneve financiare, të cilat, aktualisht, përkufizohen si personi juridik, i licencuar për të kryer veprimtaritë financiare në bazë të ligjit për Autoritetin e Mbikëqyrjes Financiare dhe/ose në bazë të ligjit për bankat.

Ndryshimi ligjor përfshin nga një përkufizim i bazuar thjesht në licencim, në një listë subjektesh që përfshin jo vetëm bankat dhe institucionet financiare, por edhe banka qendrore, institucione pagesash, institucione të parasë elektronike, autoritete publike dhe subjekte të tjera që marrin pjesë në sistemet e pagesave. Shtohet gjithashtu kompetenca e Bankës së Shqipërisë për të përfshirë subjekte të tjera, nëse ka rrezik sistemik.

Po kështu zgjerohet koncepti i “pjesëmarrësit”, i cili në ligjin aktual nënkupton Bankën e Shqipërisë, një bankë qendrore të huaj, një bankë, një institucion financiar, një institucion të huaj të ngjashëm me bankat dhe institucionet financiare, një agjent shlyerës, një operator, një autoritet publik, vendas a ndërkombëtar, ose një sistem.

Formulimi i ri përshin një listë më teknike, duke reflektuar funksionimin real të infrastrukturave financiare dhe duke lejuar trajtimin e nënpjesëmarrësve si pjesëmarrës kur kjo kërkohet për arsye të rrezikut sistemik.

Më konkretisht, “Pjesëmarrës” është një institucion financiar, një kundërpalë qendrore, një agjent shlyerës, një shtëpi klerimi, një operator sistemi ose një anëtar klerimi i një kundërpale qendrore i licencuar në përputhje me legjislacionin për tregjet e kapitalit.

Sipas rregullave të sistemit, i njëjti pjesëmarrës mund të veprojë si kundërpalë qendrore, agjent shlyerës ose shtëpi klerimi, ose të kryejë një pjesë ose të gjitha këto detyra.

Projektligji thekson se Banka e Shqipërisë mund të konsiderojë një nënpjesëmarrës si pjesëmarrës kur kjo është e justifikueshme në bazë të rrezikut sistemik. Megjithatë, në këtë rast, nuk do të kufizohet përgjegjësia e pjesëmarrësit përmes të cilit nënpjesëmarrësi kalon urdhër transfertat në këtë sistem.

Sipas relacionit shoqërues, zgjerimi i kategorive të pjesëmarrësve në sistemet e pagesave që funksionojnë mbi parimin e finalitetit të shlyerjes synon të krijojë kushte të barabarta për të gjithë ofruesit e shërbimeve të pagesave. Kjo gjë është veçanërisht e rëndësishme në kontekstin e projekteve për implementimin e sistemit për pagesa të menjëhershme ku institucionet e pagesave dhe institucionet e parasë elektronike kërkojnë të jenë konkurrentë me bankat në ofrimin e shërbimeve. Dhënia e aksesit të barabartë në sistemet e shlyerjes së pagesave ndihmon në rritjen e konkurrencës dhe eficiencën e tregut të pagesave.

Nga ana tjetër, institucionet e pagesave dhe institucionet e parasë elektronike duhet të përmbushin kërkesat dhe të respektojnë rregullat e sistemeve të pagesave të përcaktuara nga ligji, në mënyrë që të lejohen të marrin pjesë në këto sisteme, thekson dokumenti.

Ndërkohë, ndryshimet  në ligjin “Për bankat” synojnë të shmangin mbivendosjet dhe të rrisin koherencën me ligjin “Për shërbimet e pagesave”.

Konkretisht, projektligji parashikon dy ndërhyrje kryesore në nenin e përkufizimeve:

Së pari, hiqet (shfuqizohet) përkufizimi i “institucionit të parasë elektronike” nga ligji për bankat. Kjo bëhet pasi rregullimi i këtij institucioni transferohet plotësisht në ligjin “Për shërbimet e pagesave”, i cili është përafruar me direktivat e BE-së (PSD2 dhe EMD2). Kjo shmang mbivendosjen dhe paqartësitë ligjore.

Së dyti, ndryshohet trajtimi i konceptit “para elektronike”: Përkufizimi i tij nuk jepet më në ligjin për bankat, por referohet tek ligji “Për shërbimet e pagesave”. Megjithatë, termi vijon të përdoret, pasi bankat mund të ushtrojnë aktivitet të emetimit të parasë elektronike. /ekofin.al