Seanca për zgjedhjen e Presidentit që u ndërpre mbrëmë, do të vazhdojë sot në ora 10:00.
Për këtë pozitë janë propozuar Feride Rushiti dhe Hatixhe Hoxha.
Para se kryekuvendarja, Albulena Haxhiu ta ndërprente seancën, mbrëmë u mbajt një votim që nga opozita u cilësua si jokushtetues me vetëm 64 deputetë në sallë.
63 vota ishin për kandidaten Feride Rushiti, ndërsa Hatixhe Hoxha nuk mori asnjë votë.
“Në votim kanë marrë pjesë 64 deputetë, një votë e pavlefshme. Për znj.Feride Rushiti kanë votuar 63 deputetë, ndërsa për znj.Hatixhe Hoxha zero”, tha Kryetari i Komisionit, Salih Zyba.
Edhe sipas Kushtetutës, edhe sipas Aktgjykimit të Kushtetueses, nevojiten 80 deputetë në sallë që të fillojë raundi i parë i votimit.
Kreu i PDK-së, Bedri Hamza, tha se ajo që ndodhi sonte ishte shkelje kushtetuese, duke e cilësuar si “puç kushtetues”.
Ai tha se nuk mund të zgjedhet Presidenti i vendit në mënyrë antikushtetuese, shkruan Reporteri.net.
“Është një puç kushtetues. Veç ka ndodhë shkelja kushtetuese…Kjo praktikë duhet të ndërpritet me qëllim që të ruhet stabiliteti politik dhe institucionet e vendit”, tha ai në hollin e Kuvendit.
Edhe nga Lidhja Demokrarike e Kosovës thanë se sVetëvendosja inicoi përmbysjen e rendit kushtetues të Republikës së Kosovës.
Në reagimin e LDK’së u tha se nisja e procesit të votimit pa kuorum kushtetues përbën sabotim të drejtpërdrejtë të Kushtetutës dhe vetë shtetit.
“Ky është abuzim i hapur me Kuvendin e Kosovës, shkelje e rëndë e rendit kushtetues dhe përpjekje për të imponuar vullnet parapolitik. LDK-ja nënvizon fuqishëm se Republika nuk mund të merrret peng. Rendi kushtetutes nuk është i negociueshëm. Për aktin e sontëm do të ketë përgjegjësi politike, institucionale dhe nacionale”, thuhet në reagim.
Votimi për president bëhet me votim të fshehtë.
Në rundin e parë dhe të dytë kërkohen dy të tretat e votave të të gjithë deputetëve të Kuvendit të Kosovës. Ndërkaq në rundin e tretë kërkohen 61 vota për president.
Sot në mesnatë përfundon afati kushtetues për zgjedhjen e Presidentit.
Në rast se nuk zgjedhet, vendi shkon në zgjedhje.







