Ballina Politika DEKLARATË PUBLIKE/ Porti ekzistues i Durrësit, po mbytet nga paaftësia, neglizhenca dhe...

DEKLARATË PUBLIKE/ Porti ekzistues i Durrësit, po mbytet nga paaftësia, neglizhenca dhe mungesa e vizionit

180
0

Porti i Durrësit, një nga asetet më strategjike të ekonomisë shqiptare, ndodhet sot në një situatë alarmante që nuk mund të relativizohet më me justifikime burokratike apo propagandë boshe institucionale.

Në një kohë kur ekspertët paralajmërojnë rrezikun real të humbjes së rolit rajonal të Durrësit për shkak të vonesave në ndërtimin e portit të ri, realiteti në terren është edhe më i rëndë: Porti ekzistues po mbytet nga paaftësia, neglizhenca dhe mungesa e vizionit.

Unë shpreh mbështetjen time të plotë për operatorët ekonomikë, të cilët me të drejtë kanë ngritur alarmin për një situatë që tashmë ka dalë jashtë kontrollit normal të menaxhimit. Këto nuk janë ankesa sporadike por janë sinjale të qarta të një sistemi që nuk funksionon.

Autoriteti Portual i Durrësit ka dështuar të menaxhojë kapacitetet ekzistuese, duke lejuar krijimin e një kaosi operacional në Terminalin e Kontejnerëve. Mungesa e hapësirave, përdorimi joefikas i zonave funksionale dhe kthimi absurd i konteinerëve për kontrolle të dyfishta janë simptoma të një administrimi të dobët dhe të pakoordinuar.

Po aq shqetësuese është gjendja e pajisjeve portuale. Kur vinçat operojnë me gjysmën e kapacitetit të nevojshëm dhe anijet presin në radhë për t’u përpunuar, nuk kemi më të bëjmë me një problem teknik, por me një dështim institucional. Kjo është papërgjegjshmëri që i kushton drejtpërdrejt ekonomisë kombëtare.

Ndërkohë, mungesa e investimeve në pajisje bazë si reach stacker dhe zvarritjet burokratike për tenderime janë prova të një administrate që nuk kupton urgjencën e situatës. Shqipëria nuk ka luksin të funksionojë me ritme të tilla në një sektor kaq jetik.

Vendime të pakuptimta si ngushtimi i hyrjes nr. 4 të portit tregojnë qartë mungesë totale të konsultimit me aktorët e tregut dhe një qasje arrogante ndaj realitetit operacional. Çdo pengesë e tillë është një goditje direkte ndaj zinxhirit të furnizimit dhe biznesit.

Po kështu, mosrealizimi i thellimit të kanalit hyrës është një tjetër dështim strategjik që kufizon konkurrueshmërinë e portit dhe rrit kostot për operatorët dhe konsumatorët shqiptarë.

I bëj thirrje të drejtpërdrejtë Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, Autoritetit Portual dhe Administratës Doganore:

* Të ndërhyjnë urgjentisht për lirimin dhe riorganizimin e hapësirave në Terminalin e Kontejnerëve;
* Të rrisin menjëherë kapacitetet operacionale dhe të riparojnë pajisjet kritike;
* Të ndalojnë vendimet që krijojnë pengesa artificiale në hyrje-daljet e portit;
* Të përshpejtojnë investimet strategjike si thellimi i kanalit hyrës;
* Të garantojnë funksionim të plotë dhe pa ndërprerje të shërbimeve doganore dhe logjistike;
* Të përjashtojnë transportin e lidhur me portin nga kufizimet absurde sezonale.

Situata në Portin e Durrësit nuk është më një çështje teknike por është një çështje sigurie ekonomike kombëtare.

Heshtja apo vonesa për të vepruar nuk është më paaftësi. Është përgjegjësi direkte për dëmin që po i shkaktohet ekonomisë shqiptare.

Koha për reagim ka mbaruar. Tani është koha për veprim.

Klevi Elezi
Antar i Kryesis Durrës
Partia Mundësia