Ballina Bota Aksidenti hekurudhor në Indonezi, rritet bilanci i viktimave, 14 të vdekur dhe...

Aksidenti hekurudhor në Indonezi, rritet bilanci i viktimave, 14 të vdekur dhe 84 të plagosur

77
0

Rëndohet bilanci nga aksidenti i rëndë hekurudhor në Indonezi mbrëmjen e djeshme, ku një përplasje mes dy trenave pranë Xhakarta ka shkaktuar të paktën 14 viktima dhe 84 të plagosur.

Ngjarja ndodhi pranë stacionit Bekasi Timur, rreth 25 kilometra në lindje të kryeqytetit, kur një tren udhëtarësh i ndalur u godit nga një tren i linjave të gjata. Sipas autoriteteve, të gjitha viktimat ndodheshin në bordin e trenit të goditur, ndërsa rreth 240 pasagjerë të trenit tjetër u evakuuan në mënyrë të sigurt.

Operacionet e shpëtimit vijuan gjatë gjithë natës dhe deri në orët e para të mëngjesit, ndërsa ekipet e emergjencës punuan për të nxjerrë të mbijetuarit dhe për të transportuar të plagosurit në spitalet përreth.

Presidenti indonezian Prabowo Subianto ka urdhëruar menjëherë nisjen e një hetimi për të zbardhur shkaqet e aksidentit. Ai vizitoi sot edhe të plagosurit në spital, duke shprehur ngushëllime për familjet e viktimave dhe duke premtuar transparencë të plotë në hetim. Përplasja dyshohet të ketë ndodhur rreth orës 20:40 me orën lokale, ndërsa autoritetet po punojnë për të përcaktuar përgjegjësitë dhe rrethanat e sakta të kësaj tragjedie.