Ballina Sport Bayerni zyrtarisht i jep lamtumirën tre futbollistëve, ata nderohen para 80 mijë...

Bayerni zyrtarisht i jep lamtumirën tre futbollistëve, ata nderohen para 80 mijë tifozëve

68
0

Bayern Munich e festoi titullin e Bundesligës me një fitore bindëse 5:1 ndaj Kolnit, por mbrëmja në Allianz Arena u shënua edhe nga emocione të forta, pasi klubi bavarez u dha lamtumirën tre lojtarëve që largohen në fund të sezonit Leon Goretzka, Raphael Guerreiro dhe Nicolas Jackson.

Lamtumira më emocionale ishte ajo për Goretzkan, i cili për tetë vite ishte një nga figurat më të rëndësishme të skuadrës bavareze dhe pjesë e një prej gjeneratave më të suksesshme të klubit.

Tifozët në Allianz Arena e përcollën mes duartrokitjeve të gjata dhe pankartave falënderuese, duke vlerësuar kontributin dhe përkushtimin e tij ndaj fanellës bavareze.

Mesfushori gjerman largohet nga Bayerni me 311 paraqitje, 51 gola dhe 53 asistime, ndërsa mediat italiane raportojnë se destinacioni i tij më i mundshëm është Milani.

Nga kampionët e Gjermanisë largohet edhe mbrojtësi portugez Raphael Guerreiro, i cili gjatë periudhës së tij në Mynih u dallua si një lojtar shumë i vlefshëm në rotacion, falë aftësisë për të mbuluar disa pozicione në fushë.

Portugezi zhvilloi 94 ndeshje me Bayernin, duke regjistruar 14 gola dhe tetë asistime, ndërsa për të raportohet interesim nga Benfica.

Ndërkohë, sulmuesi senegalez Nicolas Jackson do të rikthehet te Chelsea pas përfundimit të huazimit. Ai shërbeu si alternativë për Harry Kane gjatë sezonit, duke realizuar 11 gola dhe katër asistime në 34 paraqitje, por Bayerni nuk do ta shfrytëzojë opsionin për blerjen përfundimtare të tij.