Një fjalim tejet i ashpër dhe plot revoltë ka tronditur sheshin përpara Kryeministrisë, ku një e moshuar e ardhur enkas nga qyteti i Durrësit ka marrë fjalën përpara mijëra protestuesve. Ajo ka shigjetuar drejtpërdrejt ish-zëvendëskryeministren Belinda Balluku dhe kryebashkiaken e Durrësit, Emiriana Sako, duke zbuluar një tjetër skandal që lidhet me tjetërsimin e pronave dhe shtëpive të vjetra durrsake.
Me tone të forta dhe pa asnjë frikë, e moshuara deklaroi se qëndresa e qytetarëve nuk do të ndalet përballë asaj që ajo e cilësoi si “mafia e betonit”.
“43 ditë janë për ne 43 orë! Jemi një popull aq i dashur, aq i respektuar, por ky maskarai nuk i pëlqen. Na quan sorra dhe korba! Ne duam të rrijmë në këtë vend dhe ky na përzë!” nisi fjalën e saj e moshuara durrsake, duke iu referuar gjuhës arrogante të pushtetit.
Më tej, ajo u ndal te vendimi konkret që ka ngritur në revoltë qytetarët e Durrësit, duke paralajmëruar hapur zyrtarët e lartë se nëse preken shtëpitë e tyre, reagimi do të jetë radikal.
“Çfarë bëri Edi Rama me Ballukun në Durrës? Ne kemi 11 muaj protestë atje, jemi përleshur me policinë dhe nuk kemi frikë! Në datën 24 gusht, Belinda Balluku bashkë me kryetaren e bashkisë ka firmosur një VKM për të hequr shtëpitë e vjetra durrsake për të bërë lulishte. Kur Durrësi i kishte lulishtet, i betonizuan me Vangjush Dakon dhe mafian! Që ta dijë dhe ajo kryebashkiakja Emiriana Sako: ose të heqë VKM-në, ose do i shkojmë edhe ne te shtëpia! Projekti i tyre është hajdut!” shpërtheu ajo në mikrofon mes duartrokitjeve të zjarrta të turmës.
Ajo e cilësoi Ballukun si “hajdute ekstreme” dhe bëri thirrje për arrestimin e saj, ndërsa kujtojmë se ish-numri dy i qeverisë është akuzuar zyrtarisht edhe nga SPAK për disa akuza të rënda.







