Ballina Europë Liderët populistë ringrihen nga hiri i tyre

Liderët populistë ringrihen nga hiri i tyre

65
0

Marine Le Pen rikthehet në lojë për zgjedhjet presidenciale franceze të vitit 2027 dhe bashkë me të kërkon një jetë të dytë, i gjithë sovranizmi europian. Gjykata që dy vjet më parë e dënoi për shpërdorim të fondeve europiane ka vepruar, me sa duket, pikërisht për të mos i dhënë Le Pen-it rolin e martires që do të favorizonte partinë e saj dhe pasardhësin, Jordan Bardella.

Por, përtej çështjes gjyqësore, vendimi nxjerr në pah dy elemente të rëndësishme. I pari është rezistenca e jashtëzakonshme e botës sovraniste, e cila ka kaluar përmes dështimeve, krizave të brendshme dhe skandaleve të mëdha pa u dëmtuar në mënyrë domethënëse në aspektin e mbështetjes elektorale. I dyti është aftësia për t’u rigjeneruar, e cila i ka shndërruar subjektet e së djathtës radikale, shpesh bartëse të propozimeve që kufizohen me narrativën antidemokratike, në forca popullore që në mënyrë të qëndrueshme luhaten mes 20 dhe 30 për qind të votave.

Nuk bëhet më fjalë për fenomene kalimtare, por për prani të qëndrueshme prej dhjetë, pesëmbëdhjetë apo njëzet vjetësh. Janë realitete me të cilat duhet të përballet politika.

Fitorja gjyqësore e Le Pen shënon ringjalljen e lideres së parë dhe më të rëndësishme nacionaliste të Bashkimit Europian, një grua që ka qenë në skenë me zgjuarsi dhe vendosmëri që prej vitit 1986, trashëgimtare e një partie krejtësisht të margjinalizuar, të cilën ajo arriti ta shndërrojë në një aktor vendimtar të politikës franceze.

Për një rastësi të veçantë, po atë ditë u ringjall edhe partneri tjetër historik i sovranizmit kontinental, Nigel Farage, i rrëzuar nga një skandal financiar për pesë milionë paund të padeklaruara. Ai rrezikonte përjashtimin, por luajti në sulm: dha dorëheqjen nga Parlamenti dhe njëkohësisht njoftoi se do të kandidojë në zgjedhjet plotësuese në Clacton.

Do të jetë vota popullore, tha ai, ajo që do t’i rehabilitojë emrin dhe do t’i rikthejë të drejtën për të qenë protagonist i politikës britanike, ku Reform UK renditet vazhdimisht në krye të sondazheve.

Edhe ai është në politikë që prej vitit 1992, pra prej më shumë se tre dekadash. Ka fituar, ka humbur, është larguar nga politika, është rikthyer dhe ka ndryshuar rrënjësisht peizazhin politik të vendit të tij.

Jeta e dytë e sovranistëve europianë nis pikërisht nga këto dy histori paralele, në një mënyrë disi befasuese, po të merren parasysh goditjet që shënuan vitin 2026 për nacionalistët e rinj.

Ata u konsideruan politikisht të mbaruar kur efekti bumerang i presidencës së Donald Trumpit u përplas mbi botën perëndimore në çdo gjerësi gjeografike, duke i detyruar miqtë e vjetër të lëvizjes MAGA, Le Pen dhe Farage para së gjithash, të distancoheshin prej saj.

U konsideruan sërish të mbaruar kur figura më e komprometuar e tyre, Viktor Orbán, i vetmi që kishte ruajtur një qëndrim hapur pro-Putinit dhe pro-Trumpit, humbi zgjedhjet në mënyrë spektakolare.

Ata u konsideruan të mbaruar edhe kur armiku i tyre kryesor, Europa, filloi të shfaqte shenja të reja vitaliteti dhe të kërkonte një strategji të përbashkët për t’u mbrojtur, për të tregtuar dhe për t’u zhvilluar.

Megjithatë, ata janë ende aty: të goditur nga skandale të mëdha dhe të mbuluar nga dyshime serioze për marrëdhënie të errëta me fuqi jashtë Europës, por gjithsesi të gjallë, energjikë dhe shumë luftarakë.

Këmbëngulja e tyre e palëkundur konfirmon barrën që ata përfaqësojnë mbi të ardhmen e Europës dhe mbi përpjekjet për të dhënë një përgjigje të përbashkët ndaj tërheqjes amerikane dhe agresionit rus në kufijtë e Bashkimit Europian.

Nëse Le Pen, prillin e ardhshëm, në përpjekjen e saj të katërt arrin ta realizojë këtë objektiv dhe të fitojë presidencën franceze, atëherë lamtumirë koalicion i të vullnetshmëve, lamtumirë trenave për Kiev, lamtumirë bashkëpunimit për armët, për inteligjencën artificiale, për përgjigjen ndaj krizave; lamtumirë boshtit të famshëm franko-gjerman dhe, bashkë me të, të vetmit motor që prej vitesh arrin ta shtyjë Bashkimin Europian në një drejtim të caktuar.

Nëse Farage vazhdon marshimin e tij triumfues, lamtumirë përpjekjes për afrimin mes Britanisë së Madhe dhe Europës në emër të interesave të përbashkëta në tregti dhe mbrojtje.

Dhe kështu lind një dyshim i natyrshëm, i cili po fiton gjithnjë e më shumë terren tek kushdo që dëshiron një Europë më të fortë dhe më të vetë-mjaftueshme: vallë këta janë vërtet gjeni të politikës? Apo janë kundërshtarët e tyre ata që nuk kanë qenë në lartësinë e rolit që historia u ka caktuar? Flavia Perina, La Stampa