Ballina Kronika E mbuluar me bar/ Si autorët e atentatit ndaj çiftit Mujeci, kishin...

E mbuluar me bar/ Si autorët e atentatit ndaj çiftit Mujeci, kishin fshehur makinën e braktisur

104
0

Vijojnë hetimet për zbardhjen e atentatit të ndodhur më 26 prill 2026 në fshatin Balldren, ku mbetën të vrarë bashkëshortët Kreshnik dhe Gentjana Mujeci. Policia ka arritur të gjejë dhe të sekuestrojë prova të rëndësishme që pritet të ndihmojnë në dokumentimin e plotë ligjor të ngjarjes.

Sipas të dhënave zyrtare, në fshatin Torovicë, në banesën e shtetasit B. K., është gjetur automjeti tip “Volkswagen Polo”, pa targa, i përdorur nga autorët për kryerjen e krimit. Nga kontrolli në brendësi të mjetit janë sekuestruar dy gëzhoja model 56, ndërsa automjeti rezulton me xham të pasmë dhe pjesë anësore të dëmtuara.

Në të njëjtin ambient është konstatuar edhe një automjet tjetër identik, por me targa të rregullta, në pronësi të shtetasit B. K., çka dyshohet se është përdorur për të fshehur gjurmët e krimit. Gjithashtu, në oborrin e banesës janë gjetur dhe sekuestruar veshjet e përdorura nga autorët gjatë atentatit, si dhe një palë targa.

Nga hetimet paraprake ka rezultuar se shtetasi F. M. ka marrë automjetin, të cilin motra e tij e kishte marrë me qira në Rinas, dhe pasi i ka hequr targat, në bashkëpunim me një tjetër person të shpallur në kërkim, e ka përdorur për t’i prerë rrugën viktimave dhe për të qëlluar ndaj tyre. Pas krimit, mjeti është fshehur në banesën e B. K., i mbuluar me bar, me qëllim humbjen e gjurmëve.

Në vijim të veprimeve, Policia ka shpallur në kërkim shtetasin B. K., 22 vjeç, banues në Torovicë, për veprat penale “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese” dhe “Mbajtja pa leje e armëve dhe municionit”. Ndërkohë, është proceduar penalisht edhe babai i tij, N. K., 79 vjeç, për të njëjtën vepër penale.

Shërbimet e Policisë vijojnë kontrollet intensive në terren për kapjen e autorëve të dyshuar dhe personave të tjerë të përfshirë në këtë ngjarje të rëndë kriminale, ndërsa materialet i janë referuar Prokurorisë së Lezhës për veprime të mëtejshme.