Deputeti Lefter Maliqi ka reaguar pas vendimit të Gjykata e Lartë lidhur me çështjen e mandatit të kryebashkiakut të Kuçovë, Kreshnik Hajdari, duke akuzuar institucionet për shkelje të ligjit dhe zvarritje të qëllimshme të procesit.
Vendimi për Kreshnik Hajdarin, Lefter Maliqi: Gjykata e Lartë foli qartë, Kryebashkiaku i Kuçovës duhej shkarkuar, arrestuar dhe burgosur!
Në një postim në rrjetet sociale, Maliqi thekson se Gjykata e Lartë ka “folur qartë”, duke nënvizuar se Hajdari duhet të ishte shkarkuar dhe përballur me drejtësinë më herët, për shkak të dënimeve dhe kallëzimeve ndaj tij.
Sipas tij, vendimi konfirmon se KQZ ka shkelur ligjin duke lejuar vijimin e mandatit të Hajdarit. Maliqi akuzon drejtpërdrejt kreun e KQZ-së, Ilirjan Celibashi, se ka shmangur marrjen e një vendimi, duke përdorur procedura pezullimi që, sipas tij, nuk parashikohen në raste të dekriminalizimit.
Ai shton se ligji për dekriminalizimin është i qartë dhe se fshehja e një dënimi penal të formës së prerë çon automatikisht në humbjen e mandatit, duke pretenduar se Hajdari ka fshehur një dënim nga gjykatat greke.
Postimi i Lefter Maliqit:
Gjykata e Lartë foli qartë: Hajdari i Bashkise se grabitur te Kucoves duhet te ishte shkarkuar,arrestuar dhe burgosur me kohe pasi mbi te rendojne denim dhe 10 kallezime ne SPAK!
U konfirmua se KQZ ka shkelur ligjin duke ndihmuar mbajtjen e mandatit të grabitur nga Kreshnik Hajdari në Bashkinë Kuçovë.
Ky vendim gjyqësor përkthehet thjesht: KQZ nën drejtimin e Ilirjan Celibashit, nuk zbatoi ligjin dhe shmangu me vetëdije vendimmarrjen e tij për mandatin e Kreshnik Hajdarit, të bashkisë Kuçovë. Në vend që të zbatonte vendimin detyrues të KAS dhe të merrte një vendim për mandatin e Hajdarit, Celibashi zgjodhi të “blejë kohë” me një shpikje procedurale, pezullimin e çështjes (procedurë që nuk kishte ndodhur në rastet e dekriminalizimit).
Por Ligji i dekriminalizimit është i qartë: fshehja e një dënimi penal të formës së prerë sjell humbjen e mandatit. Kaq e thjeshtë. Nuk kishte asnjë nevojë për manovra, as për shtyrje artificiale. Kreshnik Hajdari ka fshehur dënimin e tij nga Gjykatat Greke. Kaq mjaftonte t’i hiqej mandati i Bashkisë Kuçovë.
Ndërkohë, edhe pas vendimit penal të formës së prerë për falsifikim formulari nga Gjykata e Posaçme, institucionet vijuan të heshtin. Këshilli i Ministrave, në vend që të mblidhej dhe të ndërmerrte procedurën për shkarkimin e një kryetari bashkie të dënuar, nuk reagoi fare. Edhe kjo është një paligjshmëri e rëndë.
Pra, për vite me radhë, u krijua një zinxhir shkeljesh nga shumë institucione të Shtetit: mosveprim i qëllimshëm nga KQZ dhe heshtje e pajustifikueshme nga Këshilli i Ministrave.
Kreshnik Hajdari nuk ka mbrojtur dot as juridikisht dhe as moralisht këtë mandat të grabitur në 2023 koalicionit “Bashkë Fitojmë” dhe opozitës së bashkuar. Dhe kjo u provua në çdo shkallë gjykimi.
Kjo histori është një shembull i pastër i abuzimit me detyrën: shkelje ligji, zvarritje e qëllimshme dhe deformim i vullnetit të qytetarëve të Kuçovës.
Për 3 vite, vota e qytetarëve të Kuçovës në favorin tim u mbajt peng.
Sot është e qartë: askush nuk është mbi ligjin dhe çdokush që ka shpërdoruar detyrën do të mbajë përgjegjësi herët a vonë, nga i pari tek i fundit, për veprimet apo mosveprimet me të cilat kanë shkelur ligjin, kanë abuzuar me detyrën dhe kanë dëmtuar interesat e zgjedhësve të Kuçovës dhe demokracinë shqiptare.