Ballina Politika “Drejtorokracia e Ramës në krizë”/ Çipa: Po thyhet modeli i kontrollit në...

“Drejtorokracia e Ramës në krizë”/ Çipa: Po thyhet modeli i kontrollit në PS

71
0

Qëndrimi i fundit kritik i ish ministres së Jashtme, Elisa Spiropali për analistin Aleksandër Çipa shihet si një “avancim i kryeneçësisë politike” në raport me kryeministrin Edi Rama.

I ftuar në një emision televiziv, Çipa tha se ky nuk është një pozicion i rastësishëm, por një ndryshim bindjeje që buron nga zhvillime të brendshme në Partinë Socialiste, veçanërisht pas rastit të mospjesëmarrjes së zëvendëskryeministres Belinda Balluku në një votim të orientuar nga grupi parlamentar socialist.

Kjo lëvizje e Spiropalit, sipas analistit, shihet si një sfidë ndaj një kulture të gjatë brenda Partisë Socialiste, e cila ka dekurajuar zërat individualë për të mos lejuar krijimin e zërave kolektivë kritikë.

Ndryshe nga ish paraardhësi i saj, Ditmir Bushati, i cili nuk arriti ta shndërronte kritikën në një lëvizje më të gjerë politike, sfida e Spiropalit, u shpreh Çipa, konsiderohet më e rëndësishme.

Argumentet e Spiropalit janë të drejtpërdrejta dhe prekin nervin e qeverisjes, thekson ndër të tjera Çipa, duke shtuar se ajo flet për probleme si shkrirja e partisë me shtetin, dominimi i administratës përmes “drejtorokracisë”, mungesa e meritës, kërkesa për bindje të verbër dhe zëvendësimi i politikës me kontroll.

Mendoj që ka ndryshuar bindjen pas rastit nga mori ngasje rebelimi i saj. Dhe rasti është pashmangshmërisht i lidhur me zonjën Balluku dhe momentin kur ajo nuk mori pjesë në votimin e orientuar të grupit parlamentar të Partisë Socialiste. Në momentin e tanishëm unë mendoj se teksti i ditës së sotme të zonjës Spiropali është një avancim i kryeneçësisë politike të saj në raport me kryetarin e partisë dhe kryeministrin Rama. Deri ku mund të shkojë kjo gjë mbetet për t’u parë. E vërteta është që Partia Socialiste prej kohësh e ka zhbërë mundësinë që zëra individualë të bëhen zëra kolektivë. Edhe në rastin konkret, sfida e zonjës Spiropali është pikërisht kjo gjë.

Më herët, këtë manifestim të oponencës dhe kritikës së hapur e pati pararendësi i zonjës Spiropali, zoti Ditmir Bushati. Por edhe ai nuk e çoi dot në një lëvizje apo qoftë dhe në një protagonizëm politik, ndoshta edhe për shkak se ai u zhvesh nga mandati i mundshëm i të qenit deputet. Zonja Spiropali ka diçka më tepër që lidhet me momentin e tanishëm, që është koha e gjatë e qeverisjes së Partisë Socialiste, është mandati prej deputeteje që ka dhe e dyta, që mendoj unë, është mënyra se si e ofron këtë kritikë të hapur dhe kryeneçësinë politike duke përdorur edhe tekste të tilla që kanë një semantikë më të ngjeshur politologjike.

Mendoj që zonja Spiropali adreson disa çështje të cilat janë tejet të thukta për vetë mënyrën dhe mentalitetin e kryeministrit. Së pari, kritika për mënyrën se si merren vendimet për ekzekutivin. Së dyti, sfidat për përfaqësimin dhe kriteret e tij brenda partisë dhe në marrëdhënie me qeverisjen. Së treti, përdor një term të ripërsëritur për atë që e quan drejtorokraci. Që në një lloj pikëpamje tregon se çfarë diference ka midis meritokracisë përfaqësuese politike brenda partisë dhe delegimit apo le të themi dhuratave të karrierave apo të aspekteve të tjera të drejtimit në sektor të ekzekutivit.

Pra, në këtë këndvështrim, oponenca e saj dhe kritika e saj është më e adresuar dhe për këtë arsye ndjeshmëria rritet. Por a do t’ia dhurojë këtë, le të themi ekuidistancë ose këtë paritet kryeministri në shenjën paralajmëruese që ka dhënë se nëse ju përsërisni përsëri statuse të tillë, atëherë do të ndahen, do të përjashtoheni nga grupi? Kjo mbetet për t’u parë. Sepse vetë zoti Rama është nga ata politikanë që në momentin kur ndjehen dimensionin e një rreziku apo riskun të tej shtuar, menjëherë bën kapërcime pindarike dhe këtë e ka dëshmuar në momente të caktuara.