Siç njoftuan autoritetet të mërkurën në një konferencë për shtyp, viktimat u bindën të investonin përmes këtyre informacioneve të rreme. Tre call-center në Shqipëri u zbuluan dhe u goditën. Mes viktimave kishte edhe austriakë. Operacioni u krye me mbështetjen e Europol dhe Eurojust.
Hetimet zgjatën dy vjet. Dëmi arrin të paktën në 50 milionë euro, por hetuesit besojnë se shifra reale është dukshëm më e lartë. Vetëm 900 mijë euro mundën të siguroheshin.
Në godinën e zyrave me call-center në Tiranë kishte rreth 450 vende pune. Në momentin e ndërhyrjes, aty ndodheshin rreth 80 persona që po përpiqeshin të bindnin viktimat të bënin pagesa. Disa arritën të arratiseshin përmes dyerve të fshehta.
Dhjetë persona u arrestuan, ndërsa të tjerë u proceduan në gjendje të lirë. Hetimet po zhvillohen për mashtrim të rëndë të organizuar dhe për pjesëmarrje në një organizatë kriminale.
Disa humbën të gjitha kursimet
Viktimat e mashtrimit ndodhen kryesisht në Evropë — përveç Austrisë edhe në Gjermani, Itali, Greqi, Spanjë, Mbretëri e Bashkuar — si edhe në Kanada.
Vetëm në Austri kishte rreth 150 viktima me një dëm total prej 26 milionë eurosh. Shuma fillestare për investim ishte 250 euro, por kishte edhe viktima që investuan të gjitha kursimet e tyre, deri në miliona euro.
“Është abuzuar me postin më të lartë të shtetit”
Zëvendësdrejtori i WKStA-së, Wolfgang Handler, foli për një “strukturë autorësh shumë profesionale dhe të organizuar”.
“Jo vetëm që austriakët janë mashtruar dhe u janë marrë paratë, por është abuzuar edhe me besimin e qytetarëve ndaj postit më të lartë të shtetit për motive të ulëta”, tha Handler, duke iu referuar profileve të rreme me presidentin federal.
Reinhard Nosofsky nga Policia Kriminale Federale bëri thirrje që në çdo dyshim për mashtrim të njoftohen menjëherë autoritetet.
Autorët luajnë “pa skrupuj me shpresën, frikën dhe turpin”. Çdo kallëzim ndihmon hetimet dhe mbron të tjerët që të mos u ndodhë e njëjta gjë.
Joshje me video false të VIP-ave
Sipas WKStA-së dhe Policisë Kriminale Federale, viktimat u joshën përmes përmbajtjeve mediatike të manipuluara. Në Austri u publikuan reklama mashtruese online. Në rrjetet sociale, autorët shpërndanë “video të rreme të presidentit federal austriak, paraqitje të manipuluara të moderatorëve të ZIB-it Armin Wolf dhe Nadja Bernhard, si dhe artikuj lajmesh të fabrikuar”.
Në to, figura të njohura si ish-kancelari Karl Nehammer, futbollisti David Alaba, ish-skiatori Hermann Maier, moderatori Armin Assinger, moderatorja Mirjam Weichselbraun dhe satiristi Christoph Grissemann u paraqitën në mënyrë abuzive si “mbështetës të supozuar”.
Inteligjenca artificiale e lehtëson mashtrimin
Që në dhjetor, Policia Kriminale Federale, Autoriteti i Tregut Financiar (FMA) dhe Qendra Europiane e Konsumatorit kishin paralajmëruar për mashtrimet e investimeve online. Me teknologjinë e inteligjencës artificiale, këto “lajme të rreme me VIP-a” mund të falsifikohen shumë lehtë.
Ndërtimi i besimit
Mashtruesit e investimeve shpesh shfrytëzojnë besimin e viktimave të tyre, për shembull me metodën “Pig-Butchering” (“therja e derrit”). Ata paraqiten në rrjete sociale dhe aplikacione takimesh si persona seriozë, për t’u marrë viktimave gjithnjë e më shumë para — ndonjëherë për muaj të tërë.
“Në fazën e parë krijohet një marrëdhënie plotësisht emocionale me viktimën”, tha zv/drejtori i Policisë Kriminale Federale, Paul Marouschek.
Ndonjëherë nuk mbaron me kaq. Në “Recovery-Scam”, sipas zëdhënëses së FMA-së, Fiona Springer, autorët luajnë me “frikën se gjithçka është humbur dhe shpresën për ta rikthyer”.
Shpesh, muaj pas mashtrimit të parë, ata paraqiten si autoritete ose kompani kriptovalutash dhe pretendojnë se paratë e vjedhura mund të rikthehen kundrejt pagesës së tarifave.
Injoroni ofertat që në fillim
Mjeti më i mirë mbetet parandalimi. Një kërkim i shkurtër në Google për një ofertë financiare shpesh mjafton.
“Kontrolloni nëse kjo kompani është e licencuar: A është bankë? A është kompani investimesh?”, ishte rekomandimi i Springer.
“Mos jepni të dhëna personale! Mos u regjistroni në investime që premtojnë fitime të çmendura!”
Mashtrimi po rritet me shpejtësi
Mashtrimet sistematike dhe të organizuara — qoftë online apo përmes telefonit — po rriten me ritme të shpejta prej vitesh.
Viktimat bien pre e faqeve financiare false, përmbajtjeve të krijuara me AI ose ofertave të dyshimta të kriptovalutave. Shpesh joshja janë fitime që tingëllojnë shumë të mira për të qenë të vërteta.
Çdo viktimë humbet mesatarisht 53 mijë euro. Sipas ekspertëve, është pothuajse e pamundur të rikuperohen paratë e vjedhura, edhe kur autorët kapen.
Bëhet fjalë për banda të organizuara jashtë vendit, me departamente të posaçme për pastrim parash dhe trajnime për call center. Në transaksionet me kriptovaluta, gjurmët janë edhe më të vështira për t’u ndjekur./ORF







