Ish-deputeti demokrat Ervin Salianji ka depozituar letrën e interesit për kandidimin për kryetar të Partisë Demokratike, duke paraqitur edhe një platformë me 10 pika për reformimin e partisë dhe rikthimin e saj në pushtet.
Në dokumentin e tij, Salianji thekson se PD duhet t’i rikthehet vlerave themeluese dhe të shndërrohet sërish në një parti masash, që promovon lirinë, përgjegjësinë, shtetin e së drejtës dhe integrimin e plotë të Shqipërisë në Bashkimin Europian, në partneritet të fortë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Ai vlerëson rolin historik të Sali Berishës në krijimin dhe fitoret e Partisë Demokratike, por thekson se koha e tij ka kaluar.
“Sali Berisha është lideri historik i Partisë Demokratike. Por koha e tij ka mbaruar. Ai sot është një barrë për Partinë Demokratike dhe për gjithë popullin opozitar”, shprehet Salianji në dokument.
Sipas tij, Partia Demokratike duhet të hapet, të modernizohet dhe të rikthejë besimin e qytetarëve për të sjellë rotacion politik dhe për të fituar zgjedhjet kundër Edi Ramës dhe Partisë Socialiste.
Platforma e paraqitur nga Salianji përfshin ndryshime në strukturën e partisë, kufizimin e mandateve të kryetarit, hapjen e listave të kandidatëve për deputetë, rritjen e përfaqësimit të grave dhe të rinjve, mbështetjen për SPAK, bashkimin e opozitës dhe forcimin e kursit euroatlantik të Shqipërisë.
Në fund të dokumentit, Salianji thekson se kandidimi i tij është një vendim i vështirë, por i domosdoshëm për ndryshimin e Partisë Demokratike dhe rikthimin e saj në pushtet.







