Në një garë që deri tani duket më shumë formale sesa reale, emri i vetëm që është regjistruar përballë Sali Berishës për drejtimin e Partisë Demokratike është ai i Mereme Selës, mjeke në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” në Tiranë.
Sela nuk është një figurë e njohur e politikës shqiptare dhe as pjesë e strukturave drejtuese të PD-së. Ajo vetë e pranon këtë. “Role drejtuese nuk më është dhënë asnjëherë”, tha pas dorëzimit të kandidaturës së saj në selinë blu, duke theksuar se garon me idenë e një figure të re në politikë.
Ajo deklaron se është anëtare e Partisë Demokratike që prej vitit 2014, ndërsa në primaret e vitit të kaluar në qarkun e Durrësit mori vetëm 43 vota, një rezultat modest që megjithatë nuk e ka penguar të hyjë në garën për drejtimin e partisë.
Mjekja e QSUT-së thotë se vendosi të kandidojë për kryetare të PD-së duke u mbështetur te profili i saj profesional dhe te ideja se partia ka nevojë për figura të reja. “Nëse popullit i intereson shëndeti, arsimi dhe fëmija, jam një nga personat me gjithë background-in e duhur”, deklaroi ajo.
Sela kujtoi gjithashtu se në primaret e PD-së kishte kërkuar që kandidatët të dilnin përpara anëtarësisë dhe të prezantonin programin e tyre, një praktikë që sipas saj nuk u realizua.
Megjithatë, ndonëse është zyrtarisht në garë, ajo e bën të qartë se përballë ka një figurë që e respekton. “Kam shumë respekt për Doktorin sepse e kam koleg, profesor”, tha Sela, duke shtuar se beteja e saj është që anëtarësia të zgjedhë një figurë që ajo e quan “të pastër dhe të papërlyer”.
Programi i saj për drejtimin e Partisë Demokratike përqendrohet në dy fusha kryesore: shëndetësinë dhe arsimin.
Në një proces ku disa kandidatura të tjera nuk u pranuan, Mereme Sela mbetet rivalja e vetme zyrtare e Sali Berishës në garën për kreun e Partisë Demokratike. Sa reale do të jetë kjo përballje politike, këtë e beson vetëm Sali Berisha dhe servilët e tij në parti.







