Ballina Aktualitet Akuadromi i Tiranës mbetet “në letër”, Bashkia anulon sërish tenderin për projektimin

Akuadromi i Tiranës mbetet “në letër”, Bashkia anulon sërish tenderin për projektimin

117
0

Bashkia e Tiranës ka anuluar sërish procedurën për rehabilitimin e “Aquapark-ut të Tiranës”, duke e lënë pa një projekt konkret një nga investimet e paralajmëruara prej kohësh për rikualifikimin e këtij kompleksi sportiv dhe rekreativ.

Sipas njoftimit të publikuar në Buletinin e Prokurimit Publik, procedura e “konkursit të projektimit”është anuluar, pa u dhënë një arsye specifike konkrete, por duke iu referuar dispozitave të përgjithshme të ligjit për prokurimin publik, si mungesa e ofertave të përshtatshme, probleme në dokumentacion apo ndryshime në rrethana.

Ky është anulimi i dytë për të njëjtin projekt brenda vitit, pasi edhe tentativa e mëparshme për përzgjedhjen e projektit nuk arriti të prodhojë një fitues, duke detyruar Bashkinë që të rihapë procedurën disa muaj më vonë.

Projekti për “Akuadromin e Tiranës” synon një rikonceptim të plotë të kompleksit ekzistues, i cili aktualisht ndodhet në gjendje të amortizuar. Sipas të dhënave të dosjes së tenderit, objekti përbëhet nga gjashtë pishina, dy prej të cilave olimpike, një pishinë për të rritur me elemente lojërash ujore, një me strukturë trampoline dhe dy të tjera për fëmijë sipas grupmoshave, por infrastruktura konsiderohet e degraduar dhe jashtë standardeve.

I gjithë kompleksi shtrihet në një sipërfaqe prej 36,201 metra katrorë dhe plani i Bashkisë parashikonte jo vetëm rikonstruksionin, por praktikisht rindërtimin nga e para të tij. Ndërhyrja synonte ndërtimin e një pishine të mbyllur me sipërfaqe rreth 6300 m2, ristrukturimin e pishinës olimpike të hapur dhe transformimin e pjesës tjetër të pishinave në një akuapark të mirëfilltë me lodra ujore.

Po ashtu, projekti përfshinte zhvillimin e zonave të shërbimit, krijimin për herë të parë të një zone SPA me sauna, dhomë avulli dhe jacuzzi, ndërtimin e një palestre, ambienteve të kafe-bar/restorantit, zyrave administrative, si dhe hapësirave të parkimit, përfshirë një parkim nëntokësor prej 5,177 m2.

Me publikimin e njoftimit të anulimit, kanë nisur edhe afatet për ankimim, sipas ligjit për prokurimin publik. /ekofin.al