Policia e Shtetit ka finalizuar me sukses operacionin e koduar “Flagranca” në Divjakë, duke arrestuar në flagrancë dy shtetas të dyshuar për veprimtari në fushën e narkotikëve.
Në pranga ranë shtetasit T. F., 26 vjeç, dhe A. H., 29 vjeç, banues në fshatin Grabian.
Sipas policisë, nga hetimet rezulton se të dy të rinjtë siguronin lëndë narkotike në sasi të konsiderueshme, të cilën më pas e ndanin në doza dhe e shpërndanin për shitje në zona të ndryshme.
Ata u kapën në momentin që po lëviznin me automjet në fshatin Grabian, ndërsa gjatë kontrolleve u gjetën dhe u sekuestruan doza kanabisi dhe kokaine gati për shitje.
Në vijim të kontrolleve në banesa, policia sekuestroi gjithashtu dhjetëra doza të tjera lënde narkotike, një automjet, një peshore elektronike, një pajisje për përpunim droge dhe tre aparate celularë.
Materialet i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Juridiksionit të Përgjithshëm Fier për veprime të mëtejshme.







