Ballina Kronika Tentuan të vidhnin një automjet në Dhërmi, arrestohen dy të rinjtë

Tentuan të vidhnin një automjet në Dhërmi, arrestohen dy të rinjtë

103
0

Shërbimet e Policisë, pas njoftimit të marrë se në Dhërmi ishte vjedhur një automjet tip “Land Rover”, organizuan punën, ku falë reagimit të shpejtë bënë të mundur lokalizimin dhe ndalimin e automjetit.

Drejtuesja e automjetit nuk iu bind urdhrit të Policisë dhe, gjatë manovrave për t’u larguar, ka shkaktuar dëmtime në automjetin e vjedhur.

Në përfundim të veprimeve, shtetasi N. Xh., 25 vjeç, banues në Durrës, u arrestua për veprat penale: “Vjedhje e mbetur në tentativë”, kryer në bashkëpunim, “Mosbindje ndaj urdhrit të Policisë” dhe “Largim nga vendi i aksidentit”, ndërsa 17-vjeçarja u arrestua për veprat penale: “Vjedhje e mbetur në tentativë”, kryer në bashkëpunim, “Drejtim mjeti në mënyrë të parregullt”, “Shkatërrim i pronës” dhe “Mosbindje ndaj urdhrit të Policisë”.

Nga hetimet paraprake rezulton se, më datë 30.04.2026, në orët e mbrëmjes, dy shtetasit kishin shkuar në Dhërmi me një automjet tip “Benz”, fillimisht me qëllim blerjen e një automjeti tip “Land Rover”, në përdorim nga një shtetas banues në Tiranë. Duke përfituar nga mungesa e pronarit, 17-vjeçarja kishte ndezur automjetin dhe ishte larguar pa lejen e tij.

Po nga hetimet rezultoi se 17-vjeçarja, e cila kishte marrë automjetin “Land Rover”, kishte bashkëpunuar me një 25-vjeçar, i cili u kap në lagjen “Kushtrimi”, në Vlorë, ndërsa automjetin me të cilin kishte shkuar në Dhërmi e kishte përplasur në Palasë dhe e kishte braktisur.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan dy automjetet, automjeti që u tentua të vidhej dhe automjeti i autorëve. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë për veprime të mëtejshme.