Ballina Ekonomia Fitimi i sektorit jobankar shënoi rënie me 45.4% në vitin 2025

Fitimi i sektorit jobankar shënoi rënie me 45.4% në vitin 2025

60
0

Sektori financiar jobankar në Shqipëri ka vijuar të zgjerohet në gjysmën e dytë të vitit 2025, ndërsa pesha e tij në ekonomi ka mbetur e pandryshuar. Sipas raportit të stabilitetit të Bankës së Shqipërisë, ky sektor përbën rreth 10% të totalit të aktiveve të sistemit financiar dhe rreth 9% të Prodhimit të Brendshëm Bruto.

Rritja është nxitur kryesisht nga shoqëritë e kursim-kreditit, të cilat kanë shtuar investimet në banka dhe aktivitetin me anëtarët. Në treg aktualisht operojnë 37 institucione financiare jobanka, nga të cilat 22 janë institucione kreditimi dhe mikrokredie, 4 institucione pagesash dhe 11 institucione të parasë elektronike.

Aktiviteti kryesor i këtyre institucioneve mbetet kreditimi, që zë 32% të veprimtarisë, i ndjekur nga shërbimet këshilluese (20%), garancitë (17%) dhe qiraja financiare (15%). Në total, sektori jobankar përfshin edhe 15 shoqëri kursim-krediti, 13 kompani sigurimi, 15 fonde investimi dhe 7 fonde pensioni.

Institucionet jobanka që japin kredi kanë pasur një performancë të mirë, megjithëse totali i aktiveve të tyre është ulur me rreth 12 miliardë lekë, duke zbritur në 66 miliardë lekë. Kjo lidhet kryesisht me bashkimin e një institucioni financiar me një bankë. Pjesa më e madhe e financimit shkon për tregtinë (14%), ndërtimin dhe pasuritë e paluajtshme (nga 13% secila). Kreditë janë të ndara në 57% për individët dhe 43% për bizneset.

Cilësia e kredisë është përmirësuar, me raportin e kredive me probleme që ka zbritur në 13.3%. Fitimi i sektorit ishte rreth 3 miliardë lekë, më i ulët se 5.5 miliardë lekë një vit më parë. Rreth 80% e kapitalit në këto institucione është vendas.

Të dhënat e raportit  tregojnë se ndryshe nga ky trend, aktiviteti i institucioneve të pagesave dhe parasë elektronike është tkurrur me rreth 14 miliardë lekë, duke zbritur në 16 miliardë lekë aktive. Megjithatë, këto institucione mbeten fitimprurëse, me një fitim rreth 1 miliard lekë.

Shoqëritë e kursim-kreditit kanë rritur aktivitetin, me 75% të investimeve të tyre të përqendruara në kredi dhe 18% në depozita bankare. Sektori i bujqësisë ka marrë pjesën më të madhe të financimit (28%), i ndjekur nga tregtia (13%). Megjithatë, cilësia e kredisë është përkeqësuar lehtë, me raportin e kredive me probleme që u rrit në 5.1% nga 4.8%.

Ndërkohë, shoqëritë e sigurimit, fondet e investimit dhe fondet e pensionit kanë zgjeruar aktivitetin, kryesisht për shkak të rritjes së investimeve në letrat me vlerë të qeverisë.

Sipas raportit, sektori jobankar paraqitet në rritje, por me zhvillime të ndryshme brenda segmenteve të tij, ku disa po zgjerohen ndërsa të tjera po përballen me tkurrje./ekofin