Ballina Aktualitet Rama ‘shpërblen’ çiftin Aida dhe Petrit Gjeçaj në Theth, u firmos lejen...

Rama ‘shpërblen’ çiftin Aida dhe Petrit Gjeçaj në Theth, u firmos lejen e ndërtimit për resort 4-katësh

113
0

Pas ruspave ja ku vijnë lejet e para të ndërtimit, në një nga zonat më të bukura të Shqipërisë, Thethi në Shkodër, teksa të parët që “shpërblehen” janë një çift që kanë një biznes në atë zonë. Disa muaj më parë, fadroma dhe mjete të rënda të Inspektoriatit Kombëtar të Territorit shkuan në atë zonë, duke shkatërruar qindra ndërtime, me pretendimin se s’kishin leje.

U proceduan penalisht edhe disa inspektorë të mbrojtjes së territorit dhe zinxhiri komandues i Policisë së Shkodrës u largua nga detyra. Por, koha “shëron plagët”, ose të paktën për të preferuarit, pasi qeveria ka filluar të lëshojë dorën edhe për atë zonë. “Fati”, apo lidhjet që kanë krijuar në qeveri, i ka buzëqeshur çiftit Aida dhe Petrit Gjeçaj, ku e para ka dalë edhe në podcastin e kryeministrit Edi Rama dhe i dyti është hetues i BKH-së.

Madje, emrat e tyre u përmendën edhe pas aksionit të qeverisë në Theth, në vjeshtën e vitit të kaluar, ku biznesi i tyre në atë zonë u shkrumbua si pasojë e zjarrit. Ende nuk ka informacion nëse ka qenë i qëllimshëm apo aksidental, teksa dyshimet në atë kohë ishin se pikërisht ky çift kishte “spiunuar” të tjerët për ndërtimet pa leje.

Image

Disa muaj pas gjithë këtyre ndodhive, qeveria ka “shpërblyer” familjen Gjeçaj, duke i miratuar dhe zbardhur me shpejtësi një leje ndërtimi, për dy godina të ngjitura me njëra tjetrën, të larta 4 kate, të cilat më shumë ngjasojnë si resort sesa si shtëpi në zona malore.

Sipas dokumenteve, është miratuar leja e ndërtimit për “godinë hotel, 1, 3 dhe 4 kate me kat nëntokë”, me vendndodhje në Bashkinë Shkodër, me subjekt zhvillues znj. Aida Gjeçaj dhe z. Petrit Gjeçaj. Kjo leje, sipas KKTU-së, është dhënë në bazë të ligjit për planifikimin e territorit, të planit të përgjithshëm vendor të Bashkisë Shkodër, të VKM-së për miratimin e rregullores për zhvillimin e territorit.

Image

Image

Image

“Zona në studim ndodhet në luginën e Thethit, Shkodër. Kufizohet në veri nga rruga ‘Gjeçaj’ dhe përreth nga rrugë dytësore lokale. Ky pozicion është i favorshëm për shkak të afërsisë me rrugën kryesore që hyn në Theth duke e bërë më të lehtë aksesin në pronë, dhe afërsinë me qendrën e fshatit”, thuhet në këto dokumente.

Sipas saj, aktualisht në zonë ndodhen objekte të ndërtuara 2, 3 katëshe. “Sheshi rrethohet nga objekte ekzistuese 2, 3 dhe 5 katëshe, në pjesën veri-lindore një godinë 8 katëshe. Territori që propozohet të zhvillohet shtrihet në rr. Gjeçaj,Theth, pjesë e bashkisë së Shkodrës. Ajo është pronë e znj. Aida Gjecaj, me sipërfaqe rreth 700 m²”, vijon dokumenti.

Kësaj herë, qeveria shkruan në këtë leje “se zonat dhe objektet e rëndësisë kombëtare në planifikim janë subjekt i planifikimit kombëtar, ato karakterizohen nga vlera të veçanta kulturore, historike, ekonomike, sociale ose mjedisore të një apo disa strukturave, instalimeve, rrjeteve ose zonave, që synojnë drejtpërdrejt realizimin e interesave kombëtare”. Pra, krejt ndryshe nga sa deklaronte një vit më parë se ndërtimet prishën fshatin Theth.

Image

Image

Image

Image

Rezulton se objekti propozohet të zhvillohet duke u ndarë në dy godina që lidhen me njëra tjetrën nëpërmjet nyjes shkallë ashensor, duke u bërë një i vetëm.

“Godina e parë ruan objektin ekzistues (2 kate + nënçati) i cili është i dallueshëm nga veshja e gurit në fasadë, dhe i shtohet një zgjerim me konstruksion druri i cili bën të mundur rritjen e objektit nga 2 kate + nënçati në 4 kate. Godina e dytë është 3 kate me konstruksion druri dhe lidhet me tjetrën nëpërmjet nyjes shkallë ashensor dhe korridoreve lidhës. Ashensori arrin deri në katin e 3, ku më pas kthehet në një kullë vrojtimi me qëllim atraksionin turistik e aksesushme nga shkallë të jashtme që nisin në katin e katërt”, shkruhet në dokument.

Sipas saj, kjo zgjidhje është bërë për t’u përshtatur me morfologjinë e zonës dhe objektin ekzistues por gjithashtu edhe për të krijuar një lojë në altimetri brenda pronës.