Ballina Opinion Salianji po bie në Salizëm!

Salianji po bie në Salizëm!

79
0

Nga Ermal Peçi 

Në politikën shqiptare, pazari shpesh maskohet si parim dhe interesi personal vishet si kauzë. Në këtë realitet nuk është çudi që edhe Salianji hyri në lojë me bindjen se mund të negocionte me Berishën dhe të dilte i fituar. Ishte një llogari që në dukje dukej pragmatike, por në thelb ishte e gabuar: sepse në atë tryezë nuk negociohet për të fituar, por për t’u përdorur, dhe Berisha është mjeshtër i kësaj loje.

Sot, i ndjerë i tradhtuar, i konsumuar apo i lënë jashtë nga kjo lojë, Salianji, është rikthyer më ashpër kundër Berishës. Por ky kthim nuk është çlirim, është një tjetër fazë e së njëjtit kurth. Sepse në përpjekjen për të sulmuar, ai po përvetëson të njëjtën gjuhë, të njëjtët mekanizma dhe të njëjtin raport me të vërtetën. Me pak fjalë: Po bëhet vetë ajo që pretendonte se luftonte, duke harruar një nga strategjitë kryesore që nga lashtësia — se kundërshtarin nuk e mund dot me të njëjtat armë.

Këtu qëndron paradoksi më i madh i politikës sonë: Njerëzit nuk humbasin vetëm për shkak të kundërshtarëve, por sepse, në një moment të caktuar, fillojnë t’u ngjajnë atyre. Me pak fjalë, Salianji po tenton të bëhet Sali.

Në “salizimin” që po përjeton Ervini, përfshihen edhe sulmet e pavërteta kundrejt Lulzim Bashës. Basha, pasi mori vendimin e drejtë për të përjashtuar Berishën nga PD-ja, as nuk bëri pirueta, as ndoqi interesin personal dhe as nuk ktheu kokën pas, por vazhdoi në një rrugë plot kurthe e “thika pas shpine”, duke qëndruar në këmbë. Nuk u përkul për të kërkuar lëmoshë, apo për të bërë pazar me klanin e Berishës.

Ndryshe nga Salianji, që dilte dhe thoshte se te Berisha është shumica e demokratëve dhe aty do të shkonim duke harruar parimet; ndryshe nga ty që ndizje puro dhe mezi prisje të jepje intervistë te “Syri i Doktorit”; apo kur deklaroje se me Berishën PD-ja vjen në pushtet. Ka edhe shumë të tjera, por ndoshta nuk është momenti për t’i thënë të gjitha.

Salianj, në fund kam edhe një këshillë për ty që më buron nga qytetaria. Po ta them këtë jo si një njeri që mendoj ndryshe nga ty, por si dikush që e ka përjetuar vetë këtë proces.

Vjen një moment në jetën politike kur njeriu nuk është më protagonist i fatit të vet. Vendimet nuk i merr më ai; ato i imponohen nga dinamika, nga aleancat, nga frika për të mbetur jashtë loje. Në atë pikë, ti nuk je më aktor — je thjesht rol dhe rolet, ndryshe nga njerëzit, zëvendësohen lehtësisht.

Unë e kam njohur atë moment. E kam ndjerë se çfarë do të thotë të jesh pjesë e një loje ku përdoresh, shfrytëzohesh dhe ku nuk vendos më vetë rregullat. Je në një pikë ku mendon për hakmarrjen, mendon si të nxjerrësh inatin dhe dufin, dhe ndjen mbi supe mosmirënjohjen. Por pikërisht në ato momente kam kuptuar se beteja më e rëndësishme nuk është me kundërshtarin politik, por me veten me aftësinë për të thënë “ndal” para se të jetë vonë.

Sot, ti je pikërisht në atë kufi. E sheh që të përdorin. E ndjen që nuk po fiton asgjë reale. Por ende nuk arrin të shkëputesh, dhe kjo është pika ku nis rënia e vërtetë sepse rënia politike nuk fillon kur humb zgjedhjet. Fillon kur humbet qartësinë.

Kur, për të justifikuar një zgjedhje të gabuar, fillon të prodhosh narrativa të pavërteta. Kur, për të qëndruar në lojë, pranon të bëhesh pjesë e një skenari që nuk të përfaqëson më. Në këtë pikë, politika nuk është më mjet për të ndryshuar realitetin; bëhet mekanizëm për të mbijetuar brenda tij.

Prandaj ky nuk është më një moment zgjedhjeje. Është një moment reflektimi. Politika nuk të mbaron kur të sulmojnë kundërshtarët. Ajo mbaron kur humbet paqen me veten dhe vazhdon të qëndrosh në një lojë ku je thjesht mjet. Fundi politik nuk vjen gjithmonë me zhurmë; vjen në heshtje, në atë çast kur e kupton se je ende aty, por nuk je më askush.