Ballina Aktualitet “Kinezët” e Bankers Petroleum sërish në SPAK, Prokuroria e Posaçme po heton...

“Kinezët” e Bankers Petroleum sërish në SPAK, Prokuroria e Posaçme po heton aferat miliarda lekë në dëm të shtetit shqiptar

104
0

Drejtuesit kinezë të kompanisë “Bankers Petroleum” janë paraqitur këtë të hënë në Prokurorinë e Posaçme në zbatim të masave të sigurisë që organi i akuzës ka vendosur ndaj tyre dhe në kuadër të hetimeve të thelluara për një nga skemat kriminale që i ka kushtuar shtetit shqiptar miliarda lekë dëme.

Hetimet ndaj tyre lidhen me operacionin e zhvilluar në ditët e para të Korrikut 2025, kur Prokuroria e Fierit urdhëroi një aksion të befasishëm në zyrat qendrore të kompanisë “Bankers Petroleum Albania”, duke lëshuar 14 masa sigurie për punonjësit. Për kompetencë, dosja i kaloi SPAK.

Procedimi penal ishte regjistruar më datë 30.12.2024 dhe hetimet nisën pas referimit nga Drejtoria e Hetimit Tatimor pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve dhe pas një hetimi 6-mujor edhe me metoda të hetimit proaktiv, në bashkëpunim të ngushtë me Drejtorinë e Hetimit Tatimor.

Ka rezultuar se, shoqëria “Bankers Petroleum Albania Ltd”, nga viti 2004 e deri në fund të vitit 2024 ka dalë me humbje, çka ka bërë që shteti shqiptar të mos përfitojë asnjë të ardhur prej 20 vitesh nga ky aktivitet, pavarësisht se janë nxjerrë e tregtuar sasi të konsiderueshme karburanti në zonat e njohura me rezerva nafte, Patos-Marinëz-Fier.

Është vërejtur se, shoqëria ka kryer eksporte dhe shitje brenda vendit nga viti 2004 deri në vitin 2024 në vlerën prej 532,433,614,112 lekë. Po ashtu, rezulton se shoqëria ka deklaruar shpenzime tatimore në vlera që tejkalojnë të ardhurat nga eksportet dhe shitjet, duke dalë në çdo vit ushtrimor me humbje, ku vlera totale për të gjitha periudhat është në shumën 11,691,799,688 lekë.

Nga hetimi, dyshohet se dëmi i shkaktuar në buxhetin e shtetit, përmes përfitimit të TVSH-së, është në miliona euro.

Dyshohet se, gjatë gjithë periudhës që ka ushtruar aktivitetin e saj, shoqëria “Bankers Petroleum Albania Ltd” ka rritur në mënyrë fiktive shpenzimet e saj, me qëllim që në bilancin vjetor të rezultojë me humbje, e më pas nuk ka paguar asnjë tatim mbi fitimin, por ka përfituar nga rimbursimi i TVSH-së nëpërmejt skemave mashtruese, e ndihmuar dhe nga individë e shoqëri të tjera kontraktuese të saj, me objekte dhe veprimtari të ndryshme.

Për arritjen e këtij qëllimi, nga shoqëria e punonjësit e saj dyshohet se janë falsifikuar dokumente të ndryshme dhe kryhen operacione financiare të natyrave të ndryshme me operatorë dhe individë të ndryshëm si brenda dhe jashtë Shqipërisë.

Në pranga ra numri 1 i kompanisë Hongping Xiao, i cili prej vitesh drejtonte aktivitetin e Bankers Petroleum si dhe ish-drejtuesi i saj, Leonidha Çobo.