Ballina Opinion Me përjashtimin e Spiropalit bëhen edhe filma

Me përjashtimin e Spiropalit bëhen edhe filma

114
0

Nga Klevis Bakillari

Para se të ndodh politika, në Shqipëri ndodh gjithmonë filmi i saj. Ndaj pati nga ata që mezi prisnin një “premierë të madhe”: përjashtimin e Elisa Spiropalit nga Grupi Parlamentar i PS dhe kështu edhe nga skena politike…
Madje, disa i kishin përgatitur edhe kokoshkat; se kur bëhet fjalë për dramë politike, publiku ynë nuk kursen as emocionin, as imagjinatën.

U ndërtuan teori, u hodhën parashikime, u bënë edhe “trailera” në rrjete sociale. Një Hollywood i vogël ballkanik, ku çdokush bëhet regjisor i fatit të tjetrit.
Realiteti; nuk e lexon skenarin e turmës.

Personazhet politikë nuk eliminohen për efekt dramatik si nëpër serialet njësezonale. Elisa, për habinë e atyre që e shpallën të “përjashtuar” para kohe, nuk ndejti një figurë episodike. Pa dalë nga skena, i detyroi të tjerët të rishkruanin skenarin.
Ndërsa turma shkruante fundin, Elisa po rishkruante rolin.

“Më përjashto” nuk është një dorëzim. Është për PS , një kërkesë për korrektim.
Deri edhe një ftesë për të ekspozuar nervozizmin e të tjerëve.
Një provokim i pastër, i hedhur në një pellg ku shumëkush u hodh me kokë pa ditur thellësinë.

Spiropali s’është personazh që pret fatin me duar në xhepa. Është nga ato që e shtyjnë skenarin përpara, edhe kur të tjerët janë ende duke lexuar faqen e parë.

Dhe kështu ndodhi ajo që ndodh gjithmonë në këtë vend:
Ata që prisnin një përjashtim, morën një mësim.
Ata që prisnin një rënie, panë një qëndrueshmëri.
Ata që prisnin një fund, mbetën ndër fillimet e reja.

Një ndryshim fare të hollë ka, mes atij që i trembet përjashtimit dhe atij që e përdor si instrument. Spiropali luajti rolin e një aktoreje që e di shumë mirë kur duhet të heshtë dhe kur duhet të provokojë.

Dhe kështu, si në çdo histori të mirë politike shqiptare, mbeti vetëm një mësim i thjeshtë:
Me përjashtimin e Elisës bëhen edhe filma…