Ballina Editorial Qeli “all inclusive”

Qeli “all inclusive”

81
0

Nga Lutfi Dervishi

Kur dëgjon fjalën burg, asgjë nuk të habit më.
Pas videos ku të dënuar VIP organizojnë një lloj dasme brenda qelisë, pyetja nuk është më “si ndodhi”, por “çfarë nuk kemi parë ende”.
Aheng në burg? Këtë e pamë Alkool? Është vetëm çështje cilësie. Drogë? Patjetër mall i pastër. Eskorta? Pa asnjë problem. Armë? Edhe këtë e kemi parë. Jo duke qëlluar në ajër në raste ziafeti, por kundër atij që e konsideron hasëm.

Kur sheh komoditetin, e të burgosurve VIP gjithçka të duket e mundur. Thjesht çështje çmimi.

Problemi nuk është se duke parë këtë video ti pyet si naiv: kush e bën ligjin në burg?
Kontrasti është brutal. Nga njëra anë, figura politike që trajtohen me një rigorozitet për të dërguar messazh dhe nga ana tjetër, figura të botës së krimit që jetojnë më mire se shumica e atyre që jetojne jashtë.
Ndoshta kërcënimi më i madh që mund t’u bëhet atyre është: “mbani pak rregull se do t’u nxjerrim jashte”

Dhe pastaj ne çuditemi pse nga qelitë dalin urdhra, paralajmërime, investime, madje edhe vrasje. Nëse infrastruktura ekziston, çdo gjë është e mundur.

Ai stan atë bulmet ka. Dhe ky stan ka kohë që prodhon më rendiment të lakmueshëm.

Logjika do të kërkonte që pas publikimit të videos të kishim jo vetëm kontroll, por nuk ka dhe analiza, masa, përgjegjësi konkrete, përgjegjësi e emër dhe mbiemër.
Por duket se logjika nuk është gjithmonë pjesë e skenarit.

Ndoshta është më e ndershme të heqim dorë nga iluzioni.
Në vend që të pretendojmë se kemi burgje, administratë dhe drejtues duhet të pranojmë se kemi hapësira me menaxhim fleksibël.

Në fund të fundit, modeli ekziston. Pablo Escobar ndërtoi burgun e vet sipas shijeve të tij. Ne kemi një version më modest, por gjithsesi funksional.

Kështu merr kuptim shterues shprehja ekskluzivisht shqiptare: burgu për burrat është!