Ballina Aktualitet ‘Qeveria refuzon nismat ligjore të opozitës’, Bozdo: Pushteti përfiton miliona nga karburanti,...

‘Qeveria refuzon nismat ligjore të opozitës’, Bozdo: Pushteti përfiton miliona nga karburanti, shqiptarët po varfërohen

76
0

Deputeti i Partisë Demokratike, Enno Bozdo, ka akuzuar qeverinë se po refuzon të ndërmarrë masa për lehtësimin e barrës ekonomike ndaj qytetarëve, duke rrëzuar, sipas tij, tre nisma ligjore të opozitës që synonin uljen e çmimeve të karburanteve dhe energjisë për familjet dhe bizneset.

Në një deklaratë për mediat, Bozdo u shpreh se qeveria e drejtuar nga Edi Rama nuk qeveris në interes të qytetarëve, por të një rrethi të ngushtë përfituesish, ndërsa theksoi se kjo situatë, sipas tij, është reflektuar edhe në votimin kundër nismave të propozuara nga grupi parlamentar i Partisë Demokratike.

Ai tha se propozimet e opozitës parashikonin uljen e taksave mbi naftën dhe dieselin, reduktimin e akcizës, si dhe heqjen e akcizës për gazin industrial të prodhimit vendas. Sipas tij, miratimi i këtyre masave do të sillte ulje të ndjeshme të kostove të jetesës dhe prodhimit. Bozdo pretendoi se, sipas llogaritjeve të opozitës, çmimi i naftës do të ishte ndjeshëm më i ulët, duke sjellë kursime mujore për familjet shqiptare, ndërsa fermerët dhe industria prodhuese do të përfitonin nga ulja e kostove të punës dhe rritja e konkurrueshmërisë.

Ai shtoi gjithashtu se Shqipëria vijon të renditet ndër vendet me çmimin më të lartë të karburantit, çka sipas tij po ndikon negativisht në ekonominë familjare dhe sektorin e prodhimit.

Deputeti demokrat ngriti akuza edhe për menaxhimin e të ardhurave nga TVSH-ja e karburanteve, duke pretenduar se vetëm në muajt e fundit janë mbledhur miliona euro shtesë, të cilat, sipas tij, nuk janë përdorur për mbështetjen e qytetarëve. Në përfundim, Bozdo i bëri thirrje shumicës parlamentare që të votojë në seancën plenare pro nismave të opozitës, duke i cilësuar ato si masa konkrete dhe të domosdoshme për lehtësimin e krizës së kostos së jetesës në vend.