Ballina Politika “Bizneset shesin më pak, qytetarët konsumojnë më pak,” Tabaku nga Sauku: Shqipëria...

“Bizneset shesin më pak, qytetarët konsumojnë më pak,” Tabaku nga Sauku: Shqipëria është bërë vendi i pakicës ku nuk jetohet më me punë të ndershme

89
0

Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, zhvilloi një takim me qytetarë dhe biznese në zonën e Saukut, ku ngriti shqetësimin për krizën e besimit që, sipas saj, ka kapluar ekonominë shqiptare dhe po reflektohet drejtpërdrejt në jetën e përditshme të familjeve dhe sipërmarrjeve.

Në videon e publikuar në rrjetet sociale, Tabaku u shpreh se gjatë më shumë se një ore takimesh me biznese, pensionistë, të rinj dhe familjarë, shqetësimi kryesor ishte i njëjtë: rënia e konsumit, varfërimi i qytetarëve dhe pamundësia për të përballuar jetesën me punë të ndershme.

Sipas saj, qytetarët konsumojnë më pak, bizneset shesin më pak dhe ekonomia po jep sinjale të forta stagnimi, ndërsa rënia e besimit në ekonomi po shfaqet në çdo tregues ekonomik.

Tabaku tha se edhe zona të konsideruara pranë qendrës së Tiranës dhe jo tradicionalisht të varfra, sot po përballen me të njëjtat vështirësi që ndihen në të gjithë Shqipërinë.

Deputetja e PD akuzoi qeverinë se po punon për një pakicë dhe jo për shumicën e qytetarëve, duke deklaruar se “Shqipëria është bërë vendi i pakicës”, ndërsa theksoi se sot është bërë pothuajse e pamundur të jetosh me dinjitet nga puna e ndershme.

Në përfundim, Tabaku bëri thirrje për ndryshim të modelit ekonomik dhe politik, duke deklaruar se Shqipëria duhet të jetë “vend i mundësive për këdo” dhe lidhi këtë mesazh me protestën e opozitës të paralajmëruar më 8 maj.