Me nje fond limit prej gati 5.8 mld lekë, Autoriteti Rrugor Shqiptar ka hapur 2 procedura tenderuese për ndërtimin e rrugës lidhëse Tiranë – Elbasan, me korridorin VIII. Segmenti, me gjatësi 4 km është pjesë e bypass-it të Elbasanit. Ai nis pa mbërritur te rrethrrotullimi i Bradasheshit dhe përfundon në afërsi të ish-Metalurgjikut. Ky segment i ri synon lehtësimin e trafikut që krijohet në hyrje-daljet e autostradës Tiranë – Elbasan, një segment tejet problematik.
Ndërkaq, dokumentet e tenderit nënvizojnë rëndësinë e ndërtimit të bypass-it të Elbasanit në gjithë gjatësinë e tij, si një rrugë alternative që do të devijojë trafikun e rënduar jashtë zonave urbane të këtij qyteti, në një kohë kur unaza ekzistuese nuk i përmbush më kapacitetet dhe parametrat teknikë për përballimin e fluksit aktual.
Në fakt, bypass-i i Elbasanit është pjesë integrale e Korridorit VIII Pan-Europian, një nga akset kryesore të transportit rajonal dhe ndërkombëtar. Ndërtimi i këtij segmenti mundëson pikërisht lidhjen e 2 pjesëve të këtij korridori, që janë duke u ndërtuar e më konkretisht aksin Elbasan – Lekaj me Elbasan – Qafë Thanë. Gjurma e propozuar e rrugës do të zhvillohet kryesisht në terrene kodrinore dhe rurale, duke shmangur zonat e banuara dhe duke synuar përmirësimin e sigurisë dhe efikasitetit të lëvizjes.
Sipas parashikimeve, realizimi i këtij bypass-i do të ndikojë në uljen e kohës së udhëtimit, reduktimin e ndotjes akustike dhe ajrore në qytet, si dhe në rritjen e sigurisë rrugore. Ky projekt është përfshirë në Dokumentin e Politikave Prioritare 2027–2029, në listën e projekteve të investimit me status “i maturuar”, me një kosto totale prej 240 mln euro.







