Ballina Politika Gjekmarkaj: Socializmi juaj, shakaja më e madhe e kohërave moderne! Shqipëria ka...

Gjekmarkaj: Socializmi juaj, shakaja më e madhe e kohërave moderne! Shqipëria ka rrugë që nuk ndërtohen kurrë e çmimet më të larta në rajon

83
0

Deputeti i PD Agron Gjekmarkaj akuzoi qeverinë me në krye Edi Ramën se e ka kthyer Shqipërinë në shërbim të ‘klientëve’ e vetes së tyre. Gjekmarkaj përmendi çmimin e naftës duke thënë se në Shqipëri shitet më shtrenjtë se gjithë rajoni dhe askush nuk rimbursohet. Deputeti i PD e mbylli fjalën e tij duke thënë se protesta është e vetmja shpresë për popullin.

“Bllokohet nga korrupsioni, paaftësia, klientelizmi e delirimi. Shqipëria është një vend i bllokuar. Shikoni absurdin: në një kohë krize pas bllokimit të Hormuzit, ku çmimet e naftës dhe të jetesës janë rritur, e kudo janë të rimbursueshme dhe qeveritë u qëndrojnë pranë popujve, shqiptarët paguajnë karburantin më të shtrenjtë në rajon. Nafta në Shqipëri është çështje monopoli. Kur kjo qeveri, që ua ka mbyllur gojën artistëve shqiptarë, ku shumë prej tyre gjallojnë vetëm me dasma, mendon të ndërtojë një stadium të përkohshëm me 50 milionë euro për një këngëtar që vjen nga Amerika, i njohur për predikimet shoviniste kundër hebrenjve.

Në një vend ku rrugët kombëtare janë plagë të hapura, ku veriu trajtohet si periferi elektorale, por ama 50 milionë jepen për një spektakël që nesër mund të dalë histori korrupsioni. Shqipëria ka rrugë që nuk bëhen kurrë. Nuk shkon dot në veri se mbetesh në Milot, nuk shkon dot në Korçë se mbetesh në Elbasan. Shumë zhurmë, shumë tabela e pak Shqipëri reale. Veriu diskriminohet prej vitesh, kosovarët trajtohen si turistë sezonalë. Socializmi juaj është tashmë shakaja më e madhe e kohërave moderne. Këtu miratohen ligje me ritëm fabrike dhe shumë pak e marrin vesh se çfarë janë. Protesta është e vetmja rrugë morale. Aty ku protestohet, ka ende shpresë”, tha ndër të tjera Gjekmarkaj.