Pas thuajse 90 vitesh, figura e Tefta Tashko-Koços rikthehet simbolikisht në Vlorë përmes një podcasti skenik që synon të sjellë jo vetëm artisten e madhe, por edhe gruan, kohën dhe historinë që fshihet pas një prej zërave më të rëndësishëm të muzikës shqiptare.
I konceptuar si një udhëtim mes rrëfimit, dokumenteve arkivore dhe muzikës së gjallë, projekti i autores Balina Bodinaku sfidon formatet klasike të koncertit, duke e kthyer skenën në një hapësirë ku kujtesa dhe arti ndërthuren me njëri-tjetrin. Përmes dorëshkrimeve, letërkëmbimeve dhe episodeve pak të njohura nga jeta e saj, publiku ftohet të hyjë në universin e Teftës dhe në fillesat e muzikës lirike qytetare shqiptare.
Në skenë do të interpretojnë mjeshtrja e pianos Merita Rexha Tërshana, sopranoja e parë e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit Renisa Laçka, si dhe tenori Denis Skura. Shfaqja vjen në përmbyllje të një turi 16-mujor në disa qytete të Shqipërisë dhe Kosovës.
Podcasti skenik do të mbahet të shtunën, më 9 maj 2026, në orën 19:00, në Teatrin “Petro Marko” në Vlorë.







