Zyrtarët e lartë dhe përfaqësues të institucioneve shtetërore në Rusia tani janë të detyruar të dorëzojnë orët e dorës përpara takimeve me presidentin Vladimir Putin, sipas raportimeve të mediave të huaja.
Sipas agjencisë ukrainase RBC Ukraine dhe projektit investigativ “We Can Explain”, masa e re e sigurisë ka hyrë në fuqi papritur në mes të prillit dhe përfshin dorëzimin e jo vetëm orëve elektronike, por edhe atyre mekanike.
Dy burime të cituara nga hetimi kanë deklaruar se ndalimi i pajisjeve elektronike gjatë takimeve me presidentin rus ka qenë në fuqi prej kohësh, por tani lista e kufizimeve është zgjeruar edhe për orët e dorës.
“Telefonat janë ndaluar prej kohësh, dhe tani janë shtuar edhe orët, si elektronike ashtu edhe mekanike”, është shprehur një prej burimeve për median hetimore.
Sipas raportimit të RBC Ukraine, këto masa lidhen me rritjen e shqetësimeve të sigurisë rreth presidentit rus, përfshirë frikën nga një atentat i mundshëm ose destabilizim i brendshëm politik. Autoritetet ruse nuk kanë bërë ende një koment zyrtar mbi këto pretendime, ndërsa Kremlini nuk ka konfirmuar ndryshime të tilla në protokollet e sigurisë presidenciale.







