Sekretari amerikan i Shtetit Marco Rubio të premten minimizoi rëndësinë e planit për tërheqjen e 5000 trupave amerikane nga Gjermania dhe tha se Donald Trump ende nuk ka marrë vendim për largimin e më shumë ushtarëve nga Europa, mes tensioneve në rritje në marrëdhëniet transatlantike.
Duke folur në Romë pas takimeve me drejtues të lartë italianë, Rubio u përpoq ta distanconte publikisht këtë lëvizje nga kritikat e vazhdueshme të Trump ndaj NATO-s dhe vendeve anëtare të saj, përfshirë Italinë, lidhur me atë që ai e konsideron mungesë mbështetjeje për luftën e SHBA’së kundër Iranit, shkruan CNN.
Megjithatë, deklaratat e tij nuk pritet të qetësojnë shqetësimet europiane mbi besueshmërinë e SHBA-së dhe përkushtimin e saj ndaj aleancës mbrojtëse. Rubio, i njohur prej kohësh si mbështetës i NATO-s, nuk përjashtoi mundësinë e reduktimeve të tjera të trupave si përgjigje ndaj pakënaqësisë amerikane me aleancën. Ai tha se Trump ende nuk ka marrë një vendim.
Diplomati më i lartë amerikan tha se reduktimi i trupave në Gjermani, i njoftuar javën e kaluar nga Pentagoni, “ka qenë tashmë në proces”. Edhe kancelari gjerman Friedrich Merz, objekt i zemërimit të Trump për komentet mbi luftën me Iranin, është përpjekur ta minimizojë këtë veprim.
“Këto trupa përfaqësojnë më pak se 14% të pranisë sonë totale ushtarake atje,”, tha Rubio në një konferencë për shtyp të premten. “Kjo ishte tashmë e planifikuar. Në fakt, na kthen vetëm në nivelin ku ishim në vitin 2022”.
“Gjithmonë ka ekzistuar një plan për disa zhvendosje brenda NATO-s”, shtoi ai.
Edhe nëse kjo është e vërtetë, zyrtarët europianë e kanë parë këtë lëvizje me shqetësim për atë që mund të paralajmërojë në të ardhmen. Vetë Trump ka kërcënuar me shkurtime të tjera të numrit të trupave amerikane në Gjermani dhe aleatët europianë janë lënë nëpese mije trupa, errësirë për vendimet e presidentit.
Përpjekjet e figurave si sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, për të theksuar punën që aleatët po bëjnë për lirinë e lundrimit në Ngushticën e Hormuzit duket se kanë pasur pak ndikim në zemërimin e Trump ndaj aleancës.
Rubio të premten përsëriti pakënaqësinë e Trump, por tha se presidenti ende nuk ka marrë një vendim për përgjigjen.
“Nëse një nga arsyet kryesore pse SHBA-ja ndodhet në NATO është aftësia për të pasur forca të dislokuara në Europë që mund t’i përdorim për situata të tjera dhe tani kjo nuk është më e mundur — të paktën për disa anëtarë të NATO-s — atëherë kjo është një problem dhe duhet shqyrtuar”, tha ai.
“Në fund të fundit, ky është një vendim që duhet ta marrë presidenti. Ekipi i tij dhe njerëz si unë do t’i paraqesin opsionet e mundshme, por vendimin do ta marrë ai. Ai ende nuk i ka marrë këto vendime”, shtoi Rubio.
Rubio, i cili u takua të premten me kryeministren italiane Giorgia Meloni, tha se ata “nuk diskutuan asnjë detaj specifik”, si një tërheqje e mundshme e SHBA-së nga NATO ose reduktimi i trupave në Itali.
Rubio, gjatë kohës kur ishte senator, ishte bashkësnismëtar për ligjin që pengon një president të tërhiqet në mënyrë të njëanshme nga aleanca.
Një deklaratë e Departamentit Amerikan të Shtetit mbi takimin tha se ata diskutuan “rëndësinë e bashkëpunimit të vazhdueshëm transatlantik për të adresuar kërcënimet globale”.
“Një dialog i sinqertë”, shkroi Meloni në X, “mes aleatëve që mbrojnë interesat e tyre kombëtare, por që e dinë sa e çmuar është uniteti perëndimor”.







