Ballina Aktualitet Ja si u identifikua Hantavirusi në Shqipëri mbi 40 vite më parë,...

Ja si u identifikua Hantavirusi në Shqipëri mbi 40 vite më parë, studimi mjekësor dokumenton rastin e 27-vjeçarit

94
0

Hantavirusi, që sot është në qendër të vëmendjes botërore, pas shpërthimit të rasteve në rastit në anijen turistike “MV Hondius”, rezulton të jetë identifikuar edhe në Shqipëri mbi 40 vite më parë. Rasti është dokumentuar në një studim të publikuar më 21 nëntor 1987 në revistën prestigjioze mjekësore The Lancet.

Publikimi mban titullin “Haemorrhagic fever with renal syndrome in a case in northern Albania” dhe përshkruan një rast të etheve hemorragjike me sindromë renale të regjistruar në veri të Shqipërisë. Lajmi është rikthyer në vëmendje edhe nga shefja e Epidemiologjisë dhe Sëmundjeve Infektive në ISHP, Silva Bino, e cila ka ndarë në rrjetet sociale detaje nga studimi i asaj kohe.

Sipas saj, autorët e raportit shkencor janë E. Eltari, M. Nuti, I. Hasko dhe A. Gina.

Në raport përshkruhet historia e një 27-vjeçari nga veriu i vendit, i cili u shtrua në spital pas pesë ditësh me temperaturë, dhimbje koke, dhimbje barku e shpine, si edhe të vjella. Sipas studimit, gjendja e tij u rëndua shumë shpejt. Brenda dy ditësh ai kaloi në gjendje shoku, shfaqi gjak në urinë, probleme të rënda në funksionin e veshkave dhe më pas insuficiencë renale.

Ja çfarë shkruhej për të në raport:

‘Në gusht të vitit 1985, një 27-vjeçar u shtrua në një spital të vogël rajonal në veri të Shqipërisë, pasi prej pesë ditësh kishte temperaturë të lartë (40°C), dhimbje koke, dhimbje barku dhe shpine, si edhe të vjella. Pacienti kishte konjuktivit, dhimbje fyti dhe një skuqje me njolla të vogla hemorragjike në kraharor dhe shpatulla. Tensioni arterial ishte 90/70 mm Hg. Analizat laboratorike treguan: numër eritrocitesh 4.27 x 10/1, numër leukocitesh 56 x 10⁹/1, trombocite 42 x 10⁹/l, kreatininë në gjak 636 umol/1 dhe ure 19 mmol/l. Pas dy ditësh, gjendja e pacientit u përkeqësua me shpejtësi duke kaluar në gjendje shoku (30/0 mm Hg), hematuri, proteinuri të rëndë, oliguri dhe në fund insuficiencë renale. Ai u transferua në repartin e terapisë intensive dhe iu nënshtrua hemodializës. Pas një periudhe të gjatë rikuperimi, pacienti u shërua pa pasoja të mëtejshme”

Hantavirusi transmetohet kryesisht nga brejtësit dhe konsiderohet një infeksion potencialisht i rrezikshëm për njerëzit. Në disa raste, ai mund të shkaktojë komplikacione serioze që prekin veshkat dhe sistemin e qarkullimit të gjakut. Virusi është rikthyer në fokus ditët e fundit pas alarmit në kroçerën “MV Hondius”, ku janë raportuar viktima dhe raste të dyshuara infektimi, duke detyruar autoritetet spanjolle të organizojnë një operacion të jashtëzakonshëm evakuimi dhe karantinimi të pasagjerëve.