Ballina Kosovë Osmani në ‘tubimin e bashkimit’: Po kthehem në shtëpinë time! Akuza për...

Osmani në ‘tubimin e bashkimit’: Po kthehem në shtëpinë time! Akuza për Vetëvendosjen: S’ngopet kurrë! Dërgon vendin…

80
0

Ish-presidentja, Vjosa Osmani, në organizimin e Lidhjes Demokratike të Kosovës që shënon bashkimin e saj për të garuar bashkë me LDK-në, ka thënë se po kthehet në shtëpinë e saj.

Osmani para të pranishmëve deklaroi se ky ribashkim është dëshmi që duhet ditur të jesh më i madh se ndasitë.

“Mirë se ju rigjeta, motra e vëllezër kemi qenë gjithmonë. Nga thellësia e shpirti dhe në çdo rrahje të zemrës, dua t’iu them zemërplotë, po kthehem në shtëpinë time. Po kthehem këtu ku nisi ëndrra jonë e përbashkët për Kosovën e lirë të pavarur dhe demokratike e në miqësi të përhershme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Familja nuk është vendi ku gjithmonë pajtohesh por është vendi ku gjithmonë përket. Sot ky ribashkim është dëshmi se ne dimë të jemi më të mëdhenj se ndasitë tonë”, ka deklaruar Osmani.

Osmani deklaroi sërish se e pranon besimin për të qenë kandidate për presidente nga radhët e LDK-së.

“E pranoj besimin për të qenë kandidatja juaj dhe e popullit të Kosovës për presidente të Republikës së Kosovës. Ndërkaq ju sot pranoni besën time, pranoni vullnetin tim, pranoni zotimin tim të palëkundur që Kosovën do ta rikthejmë në lartësinë e vizionit të atit tonë themeltar, dr. Ibrahim Rugovës”, ka deklaruar Osmani.

Ajo akuzoi sërish partinë në pushtet që vendin e dërgoi sërish në zgjedhje sepse i pengoi një presidente që ulet me presidentin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

“Në njërën anë është rruga e atyre që kërcënojnë ta dërgojnë vendin në zgjedhje çdo tre muaj sepse nuk ngopen kurrë. Rruga e atyre që e shndërrojnë në mision eliminim e çdonjërit që Republikën e vendosë para çdo interesi partiak e ideologjik. Rrugën e atyre që e dërguan vendin në zgjedhje të panevojshme e ia refuzuan popullit 51% vetëm për ta eleminuar një presidente që ulet me presidentin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Kurse rruga tjetër është rruga e amanetit të Rugovës, është rruga e aleancave të forta, respektit ndërkombëtar”, deklaroi Osmani.

Në organizimin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, që ndryshe u quajt “tubimi i bashkimit”, ish-presidentja Vjosa Osmani i ftoi edhe ata që nuk ishin të pranishëm, t’i bashkohen këtij rrugëtimi.

Në tubim sërish nuk u panë Avdullah Hoti e Hykmete Bajrami. Pjesë e tubimit nuk ishin as kryetari i Prishtinës Përparim Rama e ai i Lipjanit, Imri Ahmeti.

“Sot ju ftoj të gjithëve jo vetëm të besoni përsëri tek ne por të besoni tek njëri-tjetri. I ftoj edhe të tjerët që nuk janë sonte këtu që t’i bashkohen këtij rrugëtimi. Lista që po e ndërtojmë është shtëpia e çdo qytetari që beson në shtet, që beson në Zot, që beson në familje, që beson në demokraci e beson në aleanca”, ka thënë Osmani.

Ky tubim shënoi bashkimin e ish-presidentes Vjosa Osmani me listën e Lidhjes Demokratike të Kosovës për zgjedhjet e parakohshme të 7 qershorit.