Hantavirusi ka mbërritur tashmë në Europë dhe autoritetet shëndetësore të disa vendeve të Bashkimit Europian kanë nisur marrjen e masave për izolimin dhe monitorimin e personave të ekspozuar ndaj virusit. Bëhet fjalë kryesisht për pasagjerët e kroçerës “Hondius”, ku u identifikua një vatër infeksioni dhe që prej ditësh është kthyer në qendër të alarmit ndërkombëtar.
Franca vendosi izolim të rreptë për shtetasit e saj të riatdhesuar pasi një prej tyre shfaqi simptoma gjatë kthimit me avion. Greqia njoftoi karantinë 45-ditore për pasagjerin e saj. Australia po dërgon avion të posaçëm për evakuimin e qytetarëve, ndërsa Norvegjia aktivizoi avion ambulancë me personel të trajnuar për transportin e pacientëve me infeksione të rrezikshme.
Në të njëjtën kohë, OBSH dhe ministritë europiane të shëndetësisë po komunikojnë me kujdes: pa panik, por edhe pa fshehur rrezikun. Informacionet publikohen rregullisht, shpjegohen mënyrat e transmetimit, periudha e inkubacionit dhe masat e izolimit. Autoritetet europiane po përpiqen të ruajnë ekuilibrin mes transparencës dhe shmangies së alarmit publik.
Ndërkohë në Shqipëri, Ministria e Shëndetësisë vazhdon të komunikojë me gjuhën sterile të propagandës institucionale, sikur çdo alarm ndërkombëtar të jetë vetëm një problem imazhi dhe jo një çështje që kërkon informim publik.
Asnjë sqarim serioz. Asnjë udhëzim publik. Asnjë informacion se çfarë është hantavirusi, si transmetohet, çfarë duhet të kenë parasysh qytetarët që udhëtojnë apo çfarë protokollesh ekzistojnë në rast monitorimi. Në një kohë kur vendet e BE-së flasin hapur për izolim, monitorim dhe gjurmim kontaktesh, në Shqipëri duket se strategjia mbetet e njëjta: heshtje, minimizim dhe propagandë qetësuese.
Dhe pikërisht këtu lind paradoksi. Shqipëria flet çdo ditë për integrimin europian, për hapje kapitujsh dhe standarde europiane. Por standard europian nuk është vetëm fotografia me flamuj në Bruksel. Standard europian është edhe mënyra sesi komunikon me qytetarët në momente shqetësimi publik.
Sepse qytetarët nuk kanë nevojë për panik. Kanë nevojë për informacion.
Nëse Shqipëria po hyn drejt Bashkimit Europian, ndoshta do të ishte minimale që edhe Ministria e Shëndetësisë të fillonte të sillej si një institucion europian: duke informuar, jo duke propaganduar.







