Ballina Rajoni Schmidt jep dorëheqje nga posti i përfaqësuesit të lartë në Bosnje dhe...

Schmidt jep dorëheqje nga posti i përfaqësuesit të lartë në Bosnje dhe Hercegovinë

72
0

Përfaqësuesi i lartë ndërkombëtar në Bosnje dhe Hercegovinë, Christian Schmidt, mori vendim personal për t’i dhënë fund shërbimit të tij në këtë vend, njoftoi Zyra e Përfaqësuesit të Lartë në Bosnje dhe Hercegovinë (OHR) më 11 maj.

Sipas njoftimit, Schmidt e informoi për këtë vendim Bordin Drejtues të Këshillit për Zbatimin e Paqes (PIC) dhe kërkoi që të nisë procesi për emërimin e pasardhësit të tij.

Ai theksoi se do të vazhdojë të kryejë detyrën e përfaqësuesit të lartë gjatë procesit të zgjedhjes së pasardhësit, duke shtuar se “komuniteti i bashkuar ndërkombëtar mbetet i pazëvendësueshëm për stabilitetin e Bosnje dhe Hercegovinës dhe për përparimin e saj drejt aspiratave euroatlantike”.

Schmidt u bëri thirrje qytetarëve dhe liderëve politikë nga të dyja entitetet dhe të gjitha nivelet e pushtetit që t’i intensifikojnë përpjekjet e tyre dhe, së bashku me pasardhësin e tij, të punojnë për zbatimin e reformave dhe arritjen e përparimit kyç në rrugën drejt integrimeve euroatlantike.

Përfaqësuesi i lartë ndërkombëtar në Bosnje dhe Hercegovinë e ka për detyrë të mbikëqyrë zbatimin e Marrëveshjes së Dejtonit për Paqe dhe të sigurojë që institucionet shtetërore funksionojnë sipas saj.

Schmidt në pozitën e përfaqësuesit të lartë

Qeveria federale e Gjermanisë e konfirmoi në mes të janarit 2021 kandidaturën zyrtare të Schmidtit për pozitën e përfaqësuesit të lartë në Bosnje dhe Hercegovinë.

Ai e pasoi në këtë post Valentin Inzkon, diplomat austriak, i cili ishte emëruar në krye të Zyrës së Përfaqësuesit të Lartë (OHR) në vitin 2009.

Schmidt është politikan i Unionit Kristian-Social (CSU) dhe ish-ministër i Bujqësisë i Gjermanisë.

Ai ka qenë deputet në Parlamentin federal të Gjermanisë, i angazhuar veçanërisht në çështje të politikës së jashtme.

Pse u krijua OHR-ja?

Funksioni i përfaqësuesit të lartë me status misioni diplomatik në Bosnje dhe Hercegovinë është krijuar në përputhje me Marrëveshjen e Përgjithshme Kornizë për Paqe në Bosnje dhe Hercegovinë, e njohur si Marrëveshja e Dejtonit.

Ajo u arrit më 21 nëntor 1995 në bazën ushtarake në Dejton të SHBA-së dhe u nënshkrua më 14 dhjetor 1995 në Paris, ndërsa Aneksi 10 i saj përcakton detyrën e mbikëqyrjes së zbatimit të marrëveshjes.

Zyra e Përfaqësuesit të Lartë (OHR) ka kompetenca për “interpretimin përfundimtar” të marrëveshjes për zbatimin civil të paqes.

Të gjithë përfaqësuesit e deritashëm të lartë në Bosnje dhe Hercegovinë kanë qenë diplomatë evropianë, ndërsa të 12 zëvendësit e parë kanë qenë diplomatë amerikanë.

Fondet për financimin e OHR-së i ndan Këshilli për Zbatimin e Paqes (PIC).

Pjesën më të madhe të mjeteve e ndan Bashkimi Evropian, mbi 50 për qind, pastaj Shtetet e Bashkuara, Japonia, Kanadaja, Organizata e Konferencës Islamike, Rusia dhe vende të tjera.

Çka janë “kompetencat e Bonit”?

Në bazë të konstatimeve të Konferencës për Zbatimin e Paqes, e cila është mbajtur në Bon më 9-10 dhjetor 1997, Zyra e Përfaqësuesit të Lartë (OHR) ka marrë kompetenca të veçanta që i lejojnë të vendosë dhe ndryshojë ligje, të ndryshojë Kushtetutën në Bosnje dhe Hercegovinë, si dhe të shkarkojë zyrtarë të zgjedhur ose të emëruar – politikë dhe të tjerë.

Konferenca e Londrës gjithashtu krijoi Bordin Drejtues të Këshillit për Zbatimin e Paqes (PIC), i cili funksionon nën drejtimin e përfaqësuesit të lartë.

Kreu i OHR-së nuk mund të marrë vendime pa pajtimin e vendeve anëtare të këtij bordi.

Anëtarë të tij janë: Shtetet e Bashkuara, Rusia, Mbretëria e Bashkuar, Gjermania, Franca, Italia, Kanadaja, Japonia, Bashkimi Evropian, si dhe Organizata e Bashkëpunimit Islamik, e cila në PIC përfaqësohet nga Turqia.

Bordi Drejtues i jep përfaqësuesit të lartë “udhëzime politike” dhe mblidhet dy herë në vit në nivel të drejtorëve politikë – pas të cilit takim publikohet një deklaratë e përbashkët.

Kush e emëron përfaqësuesin e lartë në Bosnje dhe Hercegovinë?

Përfaqësuesin e ri të lartë e emëron Bordi Drejtues i Këshillit për Zbatimin e Paqes (PIC), ndërsa, më pas, ai konfirmohet edhe nga Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara.

Përveç Schmidit, këtë post deri tani e kanë mbajtur edhe: suedezi Carl Bildt, spanjolli Carlos Westendorp, austriakët Wolfgang Petritsch dhe Valentin Inzko, britaniku Paddy Ashdown, gjermani Christian Schwarz-Schilling, si dhe sllovaku Miroslav Lajçak./REL