Zbulohen detaje të reja nga ngjarja tronditëse në lagjen Agios Panteleimonas të Athinës, ku një trup i pajetë u gjet i fshehur brenda një valixheje të braktisur në trotuar.
Sipas ekzaminimit paraprak mjekoligjor, viktima është një grua e re, me trup të imët. Informacionet e para të publikuara pas zbulimit të valixhes flisnin për një burrë, por gjendja e avancuar e trupit kishte krijuar paqartësi në përcaktimin e gjinisë.
Ngjarja u zbulua pasditen e së dielës, 8 nëntor, kur një 28-vjeçar me origjinë të huaj, teksa kalonte në kryqëzimin e rrugëve Alkamenous dhe Charissis, në qendër të Athinës, ndjeu një erë të rëndë që vinte nga një valixhe e lënë në trotuar.
Ai njoftoi menjëherë policinë. Efektivët mbërritën në vendngjarje dhe, pasi hapën valixhen, gjetën brenda saj trupin e pajetë.
Sipas mediave greke, ekzaminimi i parë i mjekut ligjor ka përcaktuar se bëhet fjalë për një grua me trup të imët, e cila kishte ende rrobat e veshura. Vlerësimet e para e vendosin moshën e saj rreth 17-25 vjeç, ndërsa gjatësia mendohet të jetë afërsisht 1.70 metra.Në trup nuk janë konstatuar dëmtime të dukshme, ndërsa shkaku i vdekjes mbetet ende i paqartë.
Ka edhe të dhëna kontradiktore për kohën e vdekjes. Sipas disa vlerësimeve paraprake, gruaja mund të ketë ndërruar jetë rreth dy ditë përpara zbulimit, ndërsa burime të tjera flasin për një periudhë prej 5 deri në 7 ditësh. Autopsia pritet të përcaktojë më saktë kohën dhe shkakun e vdekjes.
Autoritetet po shqyrtojnë gjithashtu mundësinë që viktima të jetë me origjinë afrikane, por kjo nuk është konfirmuar ende zyrtarisht. Gjendja e trupit, sipas raportimeve, e bën të vështirë përcaktimin e menjëhershëm të disa karakteristikave fizike.
Policia ka përcaktuar se valixhja ishte lënë në zonë më herët gjatë së dielës dhe po përpiqet të identifikojë personin që e transportoi dhe e braktisi në trotuar.
Hetuesit po analizojnë kamerat e sigurisë në zonën përreth, në përpjekje për të rindërtuar lëvizjet e personit që la valixhen dhe për të identifikuar viktimën.
Deri më tani, identiteti i gruas dhe rrethanat e sakta të vdekjes së saj mbeten të panjohura. Autopsia pritet të japë përgjigje më të qarta për hetimin.







