Ballina Europë Mister në Mesdhe, fundoset anija ruse që dyshohet se transportonte reaktorë bërthamorë

Mister në Mesdhe, fundoset anija ruse që dyshohet se transportonte reaktorë bërthamorë

77
0

Anija ruse “Ursa Major”, e cila dyshohet se transportonte komponentë të reaktorëve bërthamorë për në Korenë e Veriut, u fundos në rrethana misterioze në Detin Mesdhe, pranë brigjeve të Spanjës. Autoritetet dyshojnë për një operacion të fshehtë ushtarak dhe transferim të teknologjisë sensitive bërthamore.

Sipas një investigimi të publikuar nga CNN, anija u fundos më 23 dhjetor 2024, rreth 100 kilometra larg brigjeve të Kartagjenës në Spanjë, pas disa shpërthimeve të fuqishme që goditën pjesën anësore të saj. Dy anëtarë të ekuipazhit humbën jetën, ndërsa 14 të tjerë u shpëtuan nga autoritetet spanjolle.

“Ursa Major”, e njohur edhe si “Sparta 3”, ishte përdorur më parë nga Rusia në operacionet ushtarake në Siri. Dokumentet zyrtare të ngarkesës deklaronin se anija transportonte dy vinça të mëdhenj dhe “materiale industriale”, por hetuesit spanjollë dyshojnë se objektet në bord ishin komponentë të dy reaktorëve bërthamorë të ngjashëm me ata të nëndetëseve ruse.

Sipas dëshmisë së kapitenit rus Igor Anisimov para autoriteteve spanjolle, ngarkesa mund të ishte destinuar për portin Rason në Korenë e Veriut. Hetimi ngre pikëpyetje mbi arsyen pse një ngarkesë e tillë do të transportohej me anije përmes Mesdheut dhe jo përmes rrjetit hekurudhor rus drejt Vladivostokut.