Ballina Politika Debate në Komisionin e Integrimit për negociatat me BE/ Tabaku kritika qeverisë...

Debate në Komisionin e Integrimit për negociatat me BE/ Tabaku kritika qeverisë për korrupsionin, Balla: Luteni për dështimin e Shqipërisë

63
0

Ka pasur debate në Komisionin për Evropën dhe Punët e Jashtme gjatë seancës dëgjimore me ministren e Shtetit dhe kryenegociatoren Majlinda Dhuka, ku opozita dhe mazhoranca shkëmbyen akuza mbi procesin e integrimit të Shqipërisë në BE.

Deputetja e PD, Jorida Tabaku, akuzoi qeverinë se raporti i paraqitur për procesin e integrimit përmbante më shumë listime ligjesh sesa rezultate konkrete dhe standarde cilësore reformash. Sipas saj, Kuvendi nuk duhet të funksionojë si “fabrikë ligjesh”, por si institucion që garanton cilësinë dhe zbatimin e reformave.

Gjatë mbledhjes, Tabaku ngriti shqetësime për sistemin e drejtësisë, duke deklaruar se qytetarëve shqiptarë u duhen mbi 5 mijë ditë për të marrë drejtësi në Apel. Ajo gjithashtu iu ndal tek korrupsioni dhe procedurat e prokurimeve publike, duke theksuar se Shqipëria ka pësuar rënie në renditjet ndërkombëtare dhe se një pjesë e madhe e tenderëve përqendrohen në pak kompani.

Deputetja demokrate akuzoi qeverinë edhe për mungesë transparence në ligje të debatueshme, si ai për portet dhe investimet strategjike, ndërsa tha se opozita është lënë jashtë proceseve vendimmarrëse. Sipas saj, procesi i integrimit nuk mund të zhvillohet në mënyrë të njëanshme.

“Ky proces kërkon dy palë, nuk bëhet dot me një palë”, deklaroi Tabaku, duke kërkuar përfshirje më të gjerë të opozitës, ekspertëve dhe shoqërisë civile në grupet negociatore.

Nga ana tjetër, kreu i grupit parlamentar socialist, Taulant Balla, u kundërpërgjigj duke akuzuar opozitën se po “lutet” për dështimin e Shqipërisë në procesin e integrimit evropian.

Balla vlerësoi punën e ekipit negociator dhe tha se Shqipëria ka shënuar progres rekord në negociatat me Bashkimin Evropian. Ai ritheksoi objektivin e mazhorancës për mbylljen e negociatave deri në fund të vitit 2027 dhe përgatitjen e vendit për pjesëmarrje në zgjedhjet evropiane të vitit 2029.

Socialisti kritikoi deputetët e opozitës edhe për mënyrën se si, sipas tij, trajtojnë procesin parlamentar dhe ligjet që lidhen me përafrimin e legjislacionit me BE-në.

“Ka nga ata që luten që Shqipëria të dështojë. Shqipëria do të jetë anëtare e Bashkimit Evropian”, deklaroi Balla gjatë debatit në komision.

Seanca dëgjimore u zhvillua në kuadër të raportimit të qeverisë mbi procesin e anëtarësimit dhe integrimit të Shqipërisë në BE për vitin 2025 dhe periudhën janar-prill 2026.