Një aksident i rëndë me pasojë vdekjen ka ndodhur mbrëmjen e kësaj të marte në lagjen Stalla, në Njësinë Administrative Sukth në Durrës.
Sipas informacioneve, një automjet është përplasur me një motor, ndërsa për pasojë ka humbur jetën në vend drejtuesi i motorit, 29-vjeçari Andi Shala.
Në vendngjarje kanë mbërritur menjëherë forcat e policisë dhe ambulanca, por fatkeqësisht i riu nuk ka mundur t’u mbijetojë plagëve të marra.
Burime nga vendngjarja bëjnë me dije se drejtuesi i automjetit dyshohet të jetë një shofer problematik në zonë, megjithatë këto mbeten pretendime të banorëve dhe pritet që rrethanat e plota të aksidentit të sqarohen nga hetimet zyrtare.
Sipas të njëjtave burime, drejtuesi i automjetit është shtetasi me inicialet E.V.
“O njerëz, u shua dhe një jetë në lule të rinisë. Kur do ta kuptojmë që shpejtësia vret më shumë se arma”, shkruan një prej qytetarëve që raportoi ngjarjen në redaksinë tonë.
Policia pritet të zbardhë dinamiken e plotë të aksidentit dhe përgjegjësitë për këtë tragjedi.
Menjëherë pas aksidentit, në zonë kanë mbërritur shërbimet e policisë dhe grupi hetimor, të cilët kanë kryer veprimet e para procedurale dhe kanë nisur hetimet për të zbardhur rrethanat e plota të ngjarjes.
Policia bëri me dije se ka arrestuar drejtuesin e automjetit, shtetasin M.V., 19 vjeç, i cili dyshohet se është përgjegjës për aksidentin fatal. Hetimet vijojnë për të përcaktuar shkaqet e aksidentit dhe dinamikën e plotë të përplasjes që i mori jetën 28-vjeçarit.







