Edi Rama u zbyth përpara gazetarit të portalit të Brukselit, Euractiv, që e kishte sfiduar se do i dërgonte transkriptin e plotë të intervistës së ministrit të Jashtëm, Ferit Hoxha.
Ky i fundit kishte deklaruar se pakti me Italinë për emigrantët nuk do zgjasë përtej vitit 2030.
Edi Rama fajësoi fillimisht median e Brukselit, por pasi gazetari Eddy Wax e sfidoi hapur, ai u zmbraps duke pranuar se fajin e ka ministri i tij.
Në këtë mënyrë ai pranoi edhe manipulimin që kishte bërë për këtë çështje.
“I dashur Eddy Wax, e kuptoj që është argëtuese të krijohet një histori “Edi kundër Eddy”, por këtu realisht nuk ka vend për një gjë të tillë, sepse së pari, unë nuk u ankova për Edi-n tjetër, dhe së dyti, tani që ti me bujari publikove transkriptin e plotë, është krejtësisht e qartë se citimi i shkurtuar ishte mjaftueshëm çorientues që kushdo me një interes ideologjik të caktuar ta përdorte sipas dëshirës së vet.
Por sinqerisht, aspak hatërmbetje. Njëri Eddy duhet të bëjë atë që dëshiron, dhe Edi tjetër duhet ta durojë atë.
Në fund të fundit, thelbi mbetet i pandryshuar: Çfarë Italia kërkon nga Shqipëria, Italia e merr nga Shqipëria”, shkruan Rama në platformën “X”.







